Dogana nënshkruan memorandum me Agjencinë e Investimeve
Prishtinë, 20 dhjetor - Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Naim Huruglica dhe Valdrin Lluka Kryeshef Ekzekutiv i APIK sot nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit.
Ky memorandum është marrëveshje për bashkëpunim në mes të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK) dhe Doganës së Kosovës, ashtu që të dy palët të ndihmojnë në tërheqjen dhe në rritjen e investimet e të huaja në Kosovë.
Sipas këtij memorandumi Dogana e Kosovës pajtohet që të ndihmojë MTI/APIK me ndarjen e të dhënave të ndryshme që mund të ndihmojnë për një promovim më të mirë të investimeve në Kosovë.
Gjithashtu sipas këtij memorandumi një ekspert i doganës do të angazhohet në APIK me qëllim të ofrimit të asistencës në zgjidhjen e problemeve të investitorëve që operojnë në Kosovë dhe atyre potencial.
Qëllimi i një eksperti të tillë të caktuar nga Dogana e Kosovës është që të ketë informata të sakta rreth importit të pajisjeve, eksportit të produkteve, depove doganore, etj.
Në kuadër të krijimit të lehtësirave për biznesin në Kosovës, Dogana e Kosovës ka thjeshtësuar procedura administrative doganore të cilat do te ndikojë ne efikasitetin e punës se Doganës po ashtu edhe për subjektet e afarizmit te tregtisë se jashtme.
Thjeshtësimi i procedurave nënkupton zvogëlimin e numrit të dokumenteve të cilat kompanitë duhet të prezantojnë në rast të importit.
Dokumentet qe tani e tutje duhet bashkangjitur deklaratës doganore dhe qe janë te obligueshme tanimë janë fatura dhe deklarata eksportuese. Pra në total janë eliminuar 4 dokumente. Ky veprim do të zvogëlojë kohën e pritjeve dhe do të shpejtoj procedurat në importeksport.