Dogana lanson sistemin e ri të eksportit
Prishtinë, 21 mars - Sot kryeministri i Republikës së Kosovës vizitoi Doganën e Kosovës ku edhe bëri lansimin e sistemit të ri i cili mundëson uljen e kohës së eksportit dhe iu bën të mundshme eksportuesve që direkt nga depot e tyre të dërgojnë mallrat tek pranuesi i tyre në shtetet e tjera.
Në këtë takim përveç kryeministrit Mustafa, morën pjesë Ministri i financave z. Hoti, Ministrja e tregtisë dhe industrisë znj. Bajrami, Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës, Samir Krasniqi nga Oda Kosovaro-Gjermane, Afrim Panxha nga Klubi i prodhuesve të Kosovës.
Fillimisht drejtori i përgjithshëm informoj kryeministrin lidhur me të arriturat e Doganës gjatë vitit të kaluar si dhe fillimin e vitit 2016.
Drejtori Rafuna theksoi se Dogana gjatë vitit 2015 ka arritur që të siguroj të hyrat e nevojshme për buxhetin e Kosovës duke tejkaluar projeksionet dhe mbledhur për herë të parë mbi 950 milion euro, derisa fillimi i vitit 2016 tregon për rritje të hyrave në lartësinë prej 27% më shumë se vitin e kaluar.
"Lansimi i këtij sistemit të do të ndihmojmë eksportin me theks të veçantë prodhimin vendor, duke eliminuar barrierat e fundit për një eksport sa më të lehtë në vendet tjera", theksoi Rafuna.
Pas takimit Kryeministri i Republikës së Kosovës aktivizoi sistemin e ri ku edhe dërgesa e parë e eksporti përmes këtij sistemi kaloi kufirin përmes pikës doganore të Vërmicës në kufi me Shqipërinë.
Kryeministri Mustafa theksoi se inaugurimi i kësaj qendre të rëndësishme do të thjeshtëzoi procedurat e doganimit, dhe po ashtu do të rris efiçencën dhe do të ulë shpenzimet e kohës dhe të parave që i kanë pasur bizneset tona lidhur me këtë.
"Një organizim shumë i mirë i drejtorisë së doganave dhe për një performancë që po tregon edhe kjo drejtori edhe Ministria e Financave gjatë periudhës së kaluar dhe të këtë vit, sepse ne kemi pasur rritje të të hyrave në kufi edhe vitin e kaluar mbi parashikimet."
"Kemi po ashtu edhe këtë vit të hyra të cilat i kapërcejnë parashikimet, gjë që është një sinjal shumë i mirë se kemi aktivitete ekonomike, por po ashtu se kemi një organizim shumë më të mirë në mënyrë që të ulim të gjithë evazionin fiskal me të cilin jemi ballafaquar ne gjatë kësaj periudhe kohore", ka theksuar Mustafa.
Përpos kësaj siç ka thënë ai, po punohet mjaft shumë që të mbrohen konsumatorët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës nga importimi i mallrave të dyshimta, të rritet transparenca në eksport dhe në import, dhe që kjo fushë, e cila është fushë shumë e rëndësishme për ne, fusha fiskale të jetë e suksesshme.
"Unë shfrytëzoi rastin që të përgëzoj Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Doganave për këtë punë që e kanë bërë, dhe po ashtu të kërkojmë edhe përkrahjen e juaj që kjo të popullarizohet sa më shumë në mënyrë që qytetarët ta shtojnë besimin e tyre në këto organe, theksoi Mustafa.
Info mbi sistemi e ri te eksportit
Me qëllim që të ndihmojme eksportin me theks të veqant prodhimin vendor, Dogana e Kosovës ka lansuar sistemin mbi procedurat e eksportit te shkurtuara.
- Në të ardhmen ngarkesat e destinuara për eksport nuk duhet të paraqiten në terminal doganor përveç nëse të ndonjë prej tyre sistemi I riskut e zgjedh per kontroll te detajuar. Me pak fjalë kjo do të thotë se deklarata eksportuese do të regjistrohet në formë elektornike në sistemin e Doganës përderisa mallrat ende janë në depo të subjektit, dhe në rast se ngarkesa kalon në kanalin e gjelbër atëherë e njëjta do të vazhdoi drejtepërdrejtë për në zyrën kufi ku do të kontrollohet dhe konfirmohet dalja dhe do të mbyllet procedura e eksportit.
Përftimet për bizneset eksportuese:
- Shkurtimi i kohës së nevojshme për të kryer një eksport, për arsye se po eliminohet rruga nga prodhuesi në terminal dhe koha e qendrimit në terminalin doganor. Po ashtu po eliminohet nje hallkë e ekzaminimit fizik.
- Zvogëlimi i shpenzimeve dhe kohës së pritjes (shpenzimet e terminalit dhe shpenzimet e transportit, vozitësit etj)
- Ofrim i shërbimeve 24h për të kryer procedurën e eksportit, deri më tani prodhuesit kane mundur të eksportojnë vetëm prej orës 8 deri në 18. Në të ardhem mund të eksportojnë 24 orë.
- Çdo rajon do të ketë një njësi e cila do të punoj në thirrje-on call për të ofruar shërbim për rastet e eksporteve që nënkupton cdo rajon do ta ketë nga nje ekip që në cdo kohë të jetë në dispozicion të eksportuesit për ta ndihmuar për të eksportuar.
- Eliminim i diskrecionit të zyrtarëve doganor dhe luftim i korrupsionit cdo gjë do të shkoj në mënyrë elektronike përmes sisitemit ASYCUDA.
- Stimulimi i eksportit.