Dogana konfiskon një veturë dhe afro 600 litra naftë
Mitrovicë, 6 gusht - Sot në orët e mëngjesit njësitet e Doganës së Republikës së Kosovës kanë parandaluar një tentim të kontrabandimit të naftës.
Adriatik Stavileci zëdhënës i Doganës ka bërë të ditur se njësitet e doganës dhe task forcës kanë vërejtur se një automjet i llojit Opel Askona ngjyra e kuqe udhëtonte nga drejtimi i Mitrovicës dhe papritmas ndryshon drejtimin duke u futur në rrugët sekondare.
"Njësitet janë vëne në ndjekje ku edhe pas kërkimeve kanë arritur ta lokalizojnë këtë automjet", ka theksuar Stavileci.
Pas kontrollës së automjetit sipas tij u konstatua që në automjet kishte të ngarkuar 33 bidonë me naftë, në total sasia që tentonte të kontrabandonte ishte 594 litra naftë.
Stavileci ka thënë se Dogana ka konfiskuar gjithashtu edhe automjetin pasi që i njëjti ishte nuk ishte i zhdoganuar.