Dogana asgjëson mallra të falsifikuara
Prishtinë, 29 qershor - Dogana e Kosovës ka vazhduar me shkatërrimin e mallrave të konfiskuara, për të cilat mallra është konstatuar se shkelin të drejtën e pronësisë. Kësaj radhe mallrat e shkatërruara kapin vlerën e 50 mijë eurove dhe shumica e tyre ishin konfiskuar në pikën kufitare në Hanin e Elezit.
Mallrat që u janë nënshtruar sot procesit të shkatërrimit përbëhen prej 1743 njësi dhe janë me origjinë nga Kina dhe Turqia dhe janë kryesisht veshmbathje të markës tregtare Timberland, Tommy, Hilfiger, Lakosta dhe Puma.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci tha se shkatërrimi i këtyre mallrave ka qenë i detyrueshëm, pasi që është bërë shkelje e të drejtës së pronësisë.
Siç e shihni para meje sot dogana është duke vazhduar me shkatërrimin e mallrave të falsifikuara. Sasia e cila sot është duke u shkatërruar ka vlerë afër 50 mijë euro, kryesisht janë nxënë në pikën kufitare të Hanit të Elezit dhe të Vërmicës. Këto mallra shkatërrohen për shkak se shkelin drejtën e autorit, ka thënë ai.
Më tutje, Dogana paralajmëron kompanitë të cilat importojë mallra të falsifikuara se këto lloj mallra mund ti nënshtrohen konfiskimit dhe shkatërrimit nëse vërtetohen se shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale. Gjithashtu, janë inkurajuar bartësit e së drejtave që të aplikojnë në Doganën e Kosovës për kërkesën për veprim, me qëllim që të mbrohen produktet e tyre.