Diskutohet Ligji për blerje të produkteve kosovare

Prishtinë, 19 tetor - Zëvendëskryeministra dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, si inicuese e idesë për blerjen e produkteve kosovare, si dhe udhëheqëse e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, të premten ka diskutuar me përfaqësues të prodhuesve kosovarë dhe asociacione të biznesit për të hapat e mëtutjeshme për Ligjin e produkteve kosovare.
Zëvendëskryeministrja Kusari Lila ka treguar përparësitë e ligjit për blerjen e produkteve vendore e cila rrit ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për blerjen e produkteve vendor:
Rritja e konsumit për produkte vendore, rritja e konkurrueshmërisë, krijimi i një tereni të barabartë në fushën e tregtisë si dhe një politikë që hap tregje janë disa nga përparësitë e këtij ligji- theksoi Kusari - Lila.
Ajo shtoi se standardi dhe etika e punës janë dy elemente kryesore që duhet ti kenë parasysh bizneset.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se ky është propozimi më i mirë deri më tani dhe se e mbështet me plotni amendamentimin e këtij ligji.
Ndërsa, përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës thanë se duhet të jemi shumë të kujdesshëm për procedurat e tenderimit, ngase sipas eksperiencave paraprake është bërë seleksionimi i bizneseve para se ato të merrnin pjesë në një tender.
Dhjetëra biznese të pranishme në këtë takim u pajtuan që nuk është nevoja të krijohet një ligj i ri, por të amendamentohet Ligji aktual për Prokurim Publik.
Ky amendamentim duhet të nis nga Ministria e Financave, ku do të ketë edhe takime tjera për të marrë pajtimin e asociacioneve të biznesit si dhe të ministrive tjera.
Konkluzionet nga ky takim do të përcillen në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik që do të mbahet më 13 nëntor.
Më pas, do të krijohet një grupi nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave për implementimin e iniciativës për Blerje të Produkteve Kosovare nga institucionet e vendit me kontrata publike.
Ky grup do përcaktojë ndikimet ekonomike dhe ligjore, përfitimet nga kjo iniciativë dhe ndryshimet në ligje.
Ideja për blerjen e produkteve vendore u miratua në mbledhjen e pestë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.