Deficiti tregtar më i lartë për 0.1% arrinë në 257 milionë euro
Prishtinë, 24 tetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shtator 2019.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 0.1% në muajin shtator 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 257.3 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 257.1 milionë Euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 13.0%.
Eksporti i mallrave në muajin shtator 2019 kishte vlerën 38.4 milionë Euro, ndërsa importi 295.7 milionë Euro, që është një rritje prej 4.7% për eksport, dhe një rritje prej 0.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 35.9% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 12.1% e përbëjnë produktet minerale; 9.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.1% e përbëjnë produktet bimore; 5.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.6% e përbëjnë produktet minerale; 11.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.4% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.8 milionë Euro, ose rreth 33.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 25.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.3%), Holanda (4.2%), Danimarka (3.9%), Italia (3.8%), Britania e Madhe (3.6%), etj.
Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 142.3 milionë Euro, ose 48.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14.7%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.2%), Italia (6.5%), Greqia (5.2%), Sllovenia (3.9%), Bullgaria (3.3%), etj.
Në muajin shtator 2019, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 16.0 milionë Euro, ose 41.8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6.3%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (18.0%), Maqedonia (10.3%), Serbia (6.7%), Mali i Zi (4.8%).
Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2019, arritën në 42.5 milionë Euro, ose 14.4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-48.2%).
Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (6.9%), Shqipëria (6.2%), dhe Serbia (0.2 %).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 9.4 milionë Euro, ose 24.7%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (12.4%) dhe Zvicra (7.0%).
Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 110.8 milionë Euro, ose 37.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.7%) dhe Kina (8.8%).