Deficiti tregtar i Kosovës më i lartë për 6.3 për qind
Prishtinë, 25 shtator - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin gusht 2017.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për
6.3 për qind në muajin gusht 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 264,7 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 249,0 milionë Euro në vitin 2016. Eksporti mbulon importin me 11.0 për qind.
Eksporti i mallrave në muajin gusht 2017 kishte vlerën 32,5 milionë Euro, ndërsa importi 297,3 milionë Euro, që është një rritje prej 51.9 për qind për eksport si dhe prej (9.9 për qind) për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 33.6 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 20.0 për qind e përbëjnë produktet minerale; 11.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.1 për qind e përbëjnë produktet bimore; 8.5 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 3.4 për qind e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj; 2.0 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 14.8 për qind e përbëjnë produktet minerale; 10.8 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.0 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 7.3 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 7.0 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.1 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 4.7 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikuj prej tij, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8,0 milionë Euro, ose rreth 24.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 72.3 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (5.3 për qind), Britania e Madhe (3.8 për qind), Holanda (2.9 për qind), Austria (2.8 për qind) etj.
Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 122,2 milionë Euro, ose 41.1 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.8 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.1 për qind), Italia (7.1 për qind), Greqia (4.7 për qind), Polonia (2.9 për qind) etj.
Në muajin gusht 2017, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 16,4 milionë Euro, ose 50.4 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 49.4 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.2 për qind), Maqedonia (13.1 për qind), Serbia (13.0 për qind), Mali i Zi (3.9 për qind).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin gusht 2017, arritën në 86,9 milionë Euro, ose 29.3 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.1 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (15.3 për qind), Maqedonia (5.1 për qind), Shqipëria (4.9 për qind) dhe B&H (3.2 për qind).
Eksportet e Kosovës në vendet e tjera të botës arritën në 8,1 milionë Euro, ose 25.0 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: India (15.7 për qind) dhe Zvicra (4.8 për qind).
Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e tjera të botës arritën në 88,0 milionë Euro, ose 29.6 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (9.5 për qind) dhe Turqia (9.3 për qind).