Çmimi i naftës serish mbi 100 dollarë
New York, 24 shkurt - Çmimi i naftës në Shtetet e Bashkuara e ka kaluar kufirin simbolik prej 100 dollarë për fuçi, nga shqetësimet se trazirat në Libi mund ta rritin inflacionin dhe ta ndalin rimëkëmbjen ekonomike.
Në bursën e Nju Jorkut, nafta e papërpunuar e arriti vlerën 100 dollarë/fuçi për të parën herë që nga tetori 2008.
Ekspertët thonë se ka shqetësime se ngjarjet në Libi dhe në Lindjen e Mesme mund ta çrregullojnë prodhimtarinë e naftës dhe të shkaktojnë rritje të çmimit.
Një sërë koncernesh raportojnë për ndërprerje të prodhimit të naftës në vendin afrikanoverior.
Prodhuesi më i madh gjerman i naftës, Wintershall ka bllokuar prodhimin për arsye sigurie.
Pasiguria për zhvillimet e tjera në rajon po sjell ato nivele rekord të çmimit të naftës si para dy vjetësh. Si pasojë ka pasur rënie edhe të aksioneve në bursat ndërkombëtare.