Çmimi i naftës në Shqipëri mbetet shumë i lartë
Tiranë, 19 janar - Qytetarët shqiptarë ankohen se çmimi i naftës në Shqipëri është shumë i lartë në krahasim me vendet e rajonit.
Pavarësisht uljes në tregjet botërore në Shqipëri çmimi i naftës për litër është ulur vetëm me rreth 20 lekë.
Opozita akuzon qeverinë si përgjegjëse për situatë por deputeti socialist kërkon që të merren masa nga autoriteti i Konkurencës.
Qytetarët shqiptarë e blejnë naftën më shtrenjtë se në vendet e rajonit. Drejtuesit e automjeteve ankohen se ulja në tregjet botërore nuk është reflektuar sa duhet në Shqipëri.
Qytetarët ankohen se në krahasim me nivelin e pagave çmimi i naftës është i papërballueshëm. Dje opozita nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku ka fajësuar qeverinë si përgjegjëse për nivelin e lartë të çmimit të karburanteve në vend.
Deputeti socialist Ervin Bushati ka pranuar se ulja e çmimit të naftës në vend nuk është reflektuar sa duhet dhe ka kërkuar që autoriteti Konkurencës të marrë masa.
Pavarësisht rënies së çmimit të naftës në tregjet botërore me të paktën 50 % në Shqipëri çmimi është ulur vetëm me 20 lekë për litër.
Ekspertët shpjegojnë se e gjithë kjo vjen si pasojë e nivelit të lartë të taksave të cilat përbëjnë rreth 60 % të çmimit përfundimtar.