23 Dhjetor 2024

Çmimi i naftës e ka kaluar 103 dollarë për fuçi

New York, 4 shkurt - Si rezultat i krizës politike në Egjipt, çmimi i naftës në tregun e bursës aziatike ka pësuar një ngritje të rrallë.

Çmimi i naftës bruto të tipit brent të Detit të veriut ne tregun e Singaporit është rritur me 88 cent të enjten duke arritur çmimin 103 dollarë e 22 cent për fuçi.

Çmimi i naftës bruto  në tregun e New Yorkut po ashtu është rritur me 65 cent duke arritur çmimin 91 dollarë e 51 cent për fuçi.

Si rezultat i protestave më shume se 1 javë kundra qeverisë egjiptiane, tregu është i frikësuar se mos kriza përhapet më tej edhe në vendet e tjera naftëmbajtëse në rajonin e Lindjes së Mesme.

Drejtori i sektorit të energjisë në kompaninë Niuvaxh deklaroi nga Tokio se konfliktet e dhunshme në Egjipt kanë bërë që investitorët të frikësohen nga rritja e mëtejshme e çmimeve dhe duke blerë tani më shumë naftë.

Analistët e institutit Borkliz Kapital deklaruan po ashtu se gjendja kaotike në Egjipt ka ndikuar në tregjet e naftës.  

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për drithë, metale, apo naftë: çmimet e lëndëve të para rriten e rriten. Ky shpërthim çmimesh mund të rrezikojë jo vetëm rritjen ekonomike, ai tërheq edhe spekuluesit dhe investuesit, të cilët me transaksionet e tyre e ashpërsojnë edhe më shumë rritjen e çmimeve.

Vetëm gjatë vitit 2010 çmimet shënuan një rritje prej 31 për qind. Metale si zinku, bakri dhe plumbi u shtrenjtuan madje me më shumë se 41 për qind.

Çmimi i naftës ka kohë që shënon rritje

Klientët në pikat e furnizimit kanë kohë që e kanë ndier me dhimbje rritjen astronomike të çmimeve të karburantit që prej fillimit të janarit. Por tani çmimi për naftën e papërpunuar nga Deti i Veriut ka kapërcyer kufirin 100 dollarë për fuçi në tregjet me afat.

Tregtarët bëjnë përgjegjese trazirat në Egjipt. Vendi afrikanoverior vërtet nuk është furnizues i rëndësishëm i naftës, por ai ka kontrollin mbi Kanalin e Suezit, përmes të cilit transportohet lënda e parë.

Carsten Fritsch, ekspert për lëndët e para në bankën Commerzbank, shpjegon: „Para së gjithash frika se trazirat në Egjipt mund të paralizojë rrugët e transportit për naftën, kanalin e Suezit, apo përçuesit e naftës. Nga ana tjetër është frika se trazirat mund të kapërcejnë kufijtë dhe të përfshijnë edhe vende të tjera arabe në rajon, ndër të tjera vende prodhuese të naftës si Algjeria, apo Libia. Kjo do të kishte efekte të forta mbi ofertën e naftës."

Por në rritjen e çmimit të naftës nuk ndikon vetëm situata në Egjipt. Mesa duket edhe spekuluesit kanë gisht në këtë zhvillim: „Ata natyrisht marrin shkas nga situata dhe bëjnë që çmimi të rritet edhe më tej. Por një rol të rëndësishëm luan fakti që në treg aktualisht çmimi përmban një prim risku. Për këtë arsye nuk do ta mbiçmoja rolin e spekuluesve. “

Nëse ekonomia botërore rimëkëmbet, atëherë bizneset do të kenë nevojë për më shumë naftë për prodhim dhe transport. „Kjo është e vërtetë: tendenca e rritjes së çmimeve ekzistonte edhe përpara zhvillimeve në Egjipt, çmimi ishte pranë kufirit prej 100 dollarësh për fuçi, pasi të dhënat e fundit nga ekonomia ishin më të mira. Kjo e ka nxitur optimizmin për ekonominë, tregjet e kapitalit kanë shënuar rritje, investuesit tregojnë më shumë gatishmëri për të pranuar riskun dhe me të edhe rritjen e çmimeve. Kjo e përforcon tendencën e rritjes së çmimeve."

„Rezervat e naftës në të gjithë botën janë të mëdha. OPEC disponon kapacitete të lira prodhimi. Për këtë arsye mendojmë se çmimi i referencës do të zbresë sërish nën kufirin 100 dollarë për fuçi", thotë specialisti i Commerzbank, Fritsch.

Aktualisht është e vështirë të parashikohet, nëse ky shpërthim çmimesh do të vazhdojë. Sidoqoftë dega e naftës po përjeton rritje, fitimet e koncerneve të energjisë janë shtuar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)