Çmimet e naftës shënojnë rënie
New York, 1 korrik - Çmimet e naftës kanë shënuar rënie para takimit të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) në pritje të vendimit për ofertën e grupit për muajin gusht.
Standardi ndërkombëtar ‘Brent’ i naftës së papërpunuar tregtohet 112,23 dollarë për fuçi, duke shënuar një rënie prej 0,20 për qind pas mbylljes së seancës së mëparshme prej 112,45 dollarë për fuçi.
Standardi amerikan ‘West Texas Intermediate’ (WTI) tregtohet 109,44 dollarë për fuçi, me një rënie prej 0,31 për qind pasi seanca e mëparshme u mbyll me 109,78 dollarë për fuçi.
Sytë e investitorëve janë në takimin e grupit OPEC+, që do të zhvillohet më vonë gjatë ditës për të përcaktuar prodhimin e naftës për muajt e verës.
Çmimet e naftës ranë që në seancën e mëparshme nga frika e rënies së kërkesës globale për shkak të shqetësimeve ekonomike globale.
Tregjet janë në pritje të një vendimi të mundshëm për rritjen e ofertës nga grupi OPEC për të lehtësuar shqetësimet e ngushta të ofertës. Ndryshe, shqetësimi i shtuar i recesionit dhe ngadalësimi i ekonomisë globale vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e naftës.
Ndërkohë, sipas Administratës së Informacionit të Energjisë (EIA), inventarët komercialë të naftës së papërpunuar në SHBA javën e kaluar u ulën për 2,8 milionë fuçi në 415,6 milionë fuçi, kundrejt pritjeve të tregut për një rënie prej 110 mijë fuçi.
Ndërprerjet e mundshme të ofertës, të shkaktuara nga sanksionet në Rusi, uraganet në SHBA dhe trazirat politike në Ekuador dhe Libi, pritet të kufizojnë uljen e çmimit të naftës.