Çmimet e naftës shënojnë rekord që prej vitit 2014
New York, 8 maj - Çmimet e naftës kanë arritur nivelet më të larta që prej nëntorit të vitit 2014, përderisa invesitorët janë në pritje të vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump se a do të tërhiqet apo jo nga marrëveshja bërthamore me Iranin.
Trump pritet që më vonë gjatë ditës të bëjë publik vendimin e tij lidhur me marrëveshjen bërthamore, që është arritur më 2015 në mes të fuqive botërore dhe Iranit.
Frika se SHBA mund të rivendosë sanksione ndaj Iranit, kanë bërë që çmimi bruto për një fuçi naftë të papërpunuar të jetë mbi 70 dollarë në tregun e Nju Jorkut, që është çmimi më i lartë që prej vitit 2014.
Ndërkaq në Londër, çmimi për një fuçi naftë ka arritur deri në 76.17 dollarë.
“Çmimi i naftës është rritur pas shqetësimeve se Trump mund të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin, që do të çonte në përkeqësimin e mëtejmë të situatës në Lindjen e Mesme. Po ashtu do të ndikonte në furnizmin me naftë nga prodhuesit iranian”, tha Greg McKenna, hulumtues i tregut në AxiTrader.