Çmimet e konsumit bien për 0,3 për qind
Prishtinë, 14 qershor - Agjencia e Statistikave të Kosovë, Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare, publikoi sot Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) për muajin maj 2013.
Indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë pësoi rënie për -0,3 për qind në muajin maj 2013 krahasuar me muajin prill 2013. Shkalla e inflacionit e matur në muajin maj 2013 me muajin maj 2012 ishte 2,2 për qind.
Rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet: perimet (-5,9 për qind), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (nafta dhe benzina) për (-2,4 për qind), buka dhe drithërat (-0,8 për qind), qumështi, djathi dhe vezët (-0,9 për qind) me një ndikim të përbashkët prej -0,7 për qind në IÇK.
Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e çmimeve te nëngrupi i pemëve (15,4 për qind) me një ndikim prej 0,4 për qind në IÇK.
Çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 2,2 për qind në muajin maj 2013 krahasuar me muajin maj 2012.
Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: perime (14,3 për qind), duhan (8,6 për qind), mish (3,4 për qind), shërbimet bankare (31,0 për qind), vajëra dhe yndyra (11,3 për qind), pemë (8,0 për qind), bukë dhe drithëra (1,6 për qind), kafe, çaj dhe kakao (5,2 për qind), veshje (1,8 për qind), këpucë (4,5 për qind), energji elektrike (8,9 për qind), orendi dhe aparatura, qilima dhe shtroja të tjera për dysheme (4,3 për qind), shërbime hoteliere (1,6 për qind) me një ndikim të përbashkët prej 2,9 për qind në IÇK.
Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupet: përdorimi i pajisjeve për transportin personal (nafta dhe benzina) për (-6,2 për qind), qumësht, djath dhe vezë (-1,0 për qind), sheqer dhe ëmbëlsira (-2,2 për qind) me një ndikim të përbashkët prej -0,7 për qind në IÇK.