Çmimet e banesave, mbesin të larta
Prishtinë, 27 gusht - Çmimet e banesave në Prishtinë edhe më tutje mbesin të larta, ndonëse sektori i ndërtimit ka shënuar një zhvillim të hovshëm viteve të fundit.
Këtë nivel të çmimeve po e mban kërkesa e madhe në treg, thonë njohës të çështjeve ekonomike. Ndërkohë, kompanitë e ndërtimit tashmë ofrojnë blerjen e banesave edhe përmes bankave, me kredi afatgjate dhe me norma tërheqëse të interesit.
Kompanitë e ndërtimit në Prishtinë kohëve të fundit kanë zgjeruar ofertat për blerjen e banesave.
Përveç pagesës me këste për një periudhë afatshkurtër, tashmë përmes bankave, ofrojnë edhe blerje me kredi afatgjate dhe me norma tërheqëse të interesit. Krejt këtë e bëjnë për klientët, thonë disa nga pronarët e kompanive të ndërtimit.
Ndër ofertat është edhe ajo e kompanisë Nartel, që në bashkëpunim me Bankën Ekonomike, ofron mundësinë e blerjes për 10 vjet, me normë interesi rreth 6 për qind, thotë Muhamet Koci, drejtor teknik në këtë kompani.
Oferta bëhet me qëllim që tiu mundësohet qytetarëve, klientëve, që të blejnë banesat, që edhe ata nuk kanë para të gatshme, përmes bankës të blejnë banesa në kompaninë tonë. Klientët e kanë shfrytëzuar mirë këtë mundësi. Në përgjithësi jemi të kënaqur me shitjen, theksoi ai.
Mundësi pagese për pesë vjet me normë rreth 5 për qind përmes Teb bankës ofron edhe kompania Konak tek kompleksi Prishtina stars.
Neki Emra menaxher në këtë kompani thotë për Radio Kosovën se banesat janë me dokumentacion përkatës, dhe klientët mund ti regjistrojnë si hipoteka. Ai thotë se nuk kanë pasur problem me shitje.
Sektori i ndërtimit në Kosovë ka shënuar një rritje të hovshme viteve të fundit, kurse çmimet nuk kanë rënë, pasi ka pasur kërkesë të madhe për çështjen e banimit, thonë analistët ekonomikë.
Drejtori i kërkimeve në Institutin Riinvest, Alban Hashani thotë se kërkesën aktive në treg vazhdojnë ta mbajnë mërgimtarët. Sipas Hashani oferta e kompanive përmes bankave bëhet për qëllime të dyanshme.
Bankat po ofrojnë tash kushte të mira për financim, për shkak se po shohin është mundësi e mirë që të plasojnë kreditë e tyre me një normë më të ultë të rrezikut. Pra bankat janë të interesuara për fitim, theksoi ai.
Sipas trendëve aktualë, çmimet e banesave nuk do të pësojnë ulje edhe për një kohë të gjatë.
Hashani thotë se nëse ulet kërkesa për banim, atëherë do të bie edhe niveli i ndërtimit, që mund të ndikojë në uljen e çmimit, por kjo sipas tij është vështirë të parashikohet.
/RTK/