Cilësia e ushqimit më e sigurtë, por larg shteteve fqinje
Prishtinë, 24 dhjetor - Cilësia e ushqimeve që importohen apo prodhohen në Kosovë ka ardhur duke u rritur, por ende mbetemi larg vendeve fqinje të cilat kanë avancuar drejt standardeve më të larta.
Ky ishte konkluzioni i përbashkët në konferencën e organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike e Sociale STRAS, dhe hulumtimit Çfarë ushqimi konsumojmë,, ku u diskutuan për efikasitetin e mekanizmave për kontroll në Republikën e Kosovës.
Në konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të AUVK, IKSHPK, Doganave të Kosovës, të Kosova Halal Institute , bizneseve , asociacioneve të biznesit dhe të shoqërisë civile.
Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i STRAS-it, theksoj se në krahasim me vëllimin e madhe të ushqimit të importuar, sasia e artikujve të dyshimtë ka ardhur duke u zvogëluar.
Agjencioni i Ushqimit dhe i Veterinës sivjet ka asgjësuar rreth 1,1 milionë kilogram artikuj ushqimor. Sasia e artikujve të asgjësuar është në rritje dhe kjo tregon për kontrollin e përforcuar, por edhe rritjen e vëllimit të qarkullimit, tha Drejtori Ekzekutiv i STRAS- Ibrahim Rexhepi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, kontrollon produktet e 52 prodhuesve në vend.
Nga 4.062 mostra të kontrolluara të ushqimit, vetëm 3,79 për qind të tyre nuk ishin në përputhje me standardet, si edhe 7,9 për qind nga 4.750 mostra të ujit.
Ndërkaq, Dogana e Kosovës , në periudhën 2010-2012 nga 6,2 miliardë euro sa ishte importi, ka asgjësuar mallra ushqimore me vlerë 3.045.963 euro, ku pjesën më të madhe e përbëjnë vezët, mielli, sheqeri, qumështi dhe produktet e tij, si edhe mishi dhe produktet e tij.
Baza ligjore është e kompletuar dhe kjo na jep mundësinë që të luftojmë këto dukuri me një efikasitet të shtuar. Si shërbim jemi në dispozicion gjatë 24 orëve dhe pjesë e çdo ekipi ku doganohen mallrat që hyjnë në Kosovë. Në këtë kuadër vlen të theksohet se kemi rritur dukshë aktivitetin drejt parandalimit të hyrjes dhe shitjes së mallrave me origjinë të dyshimtë, tha Valdet Gjinovci, drejtor i AVUK.
Segment më pak e angazhuar janë inspeksionet komunale, të cilat kryesisht veprojnë në bazë të informacioneve nga qytetarët. Kjo për shkak se me ligjet në fuqi, të gjitha kompetencat si në kufi ashtu edhe brenda Kosovës në kontrollin dhe asgjësimin e ushqimeve të dyshimta kanë kaluar në nivelin qëndrorë.
Në hulumtim, por edhe gjatë debatit në konferncë është trajtuar edhe puna e Kosova Halal Institute, si i vetmi institucion i autorizuar për certifikimin në bazë të standardit Halal. Ndonëse i themeluar në vitit 2010 nga Bashkësia Islame e Kosovës, ky institut ende është në fazën fillestare të punës.
Po ashtu janë trajtuar disa raste të hyrjes së mallrave të dyshimtë në vendin tonë si Shamponi Kosoli, i cili u ndalu të importohej për shkak se ka dyshime që ai përmban materje të rrezikshme e kancerogjene, të cilat janë konstatuar në Maqedoni.
Rasti tjetër isht ai i misrit po nga Serbia, shitja e të cilit është ndaluar për shkak të dyshimit se është i kontamiuar. Prania e materjalit helmues fillimisht në këtë produkt u konstatu nga ndërmarrja për kontrollin e cilësisë së këtij shteti.
Sipas Ojq Konsumatori, të njejtat probleme kanë shfaqur, megjithëse në përmasa më të vogla edhe drithrat nga Hungaria, Rumania, Bullgaria, shtete ku kryesisht furnizohet Kosova.
Në mënyrë të vecant është diskutuar për domatën pa fara apo margarinin Vital.
Një problem i vecantë për cilësinë e tij janë emulagtorët ( aditivët), për të cilët ka vlerësime të ndryshme.
Aditivi E471 i gjetur në margarinën Vital, është i lejueshëm, meqenëse prodhuesi i tij nga Danimarka, ka certifikatë Halal. Sipas KHI-së, kur ky aditiv ka prejardhje nga bimët është i lejueshëm, kurse nga shtazët jo.
Nga konferenca e STRAS-it përfaqësuesit e bizneseve gjithashtu kërkuan që institucionet përgjegjëse për kontrollin e cilësisë së ushqimeve nuk duhet të nxitojnë me deklarata, përderisa nuk sigurojnë analizat përkatëse për mallrat e dyshuara.
Ata mund të bllokojnë mallrat, të bëjnë tërheqjen e artikujve të dyshimtë nga qarkullimi, ndërsa deklarata publike të bëhet pas sigurimit të dëshmive të mjaftueshme dhe të besueshme. Në këtë mënyrë ata do të kontribojnë në ruajtjen e besimit të konsumatorëve ndaj furnizuesve me ushqime.
STRAS kërkon që AUVK-ut ti jepet përkrahje më e madhe, ashtu që ai të investoj për laboratorë ku mund të bëhen të gjitha analizat e nevojshme. Në këtë mënyrë do të fitohej në kohë për sigurimin e analizave, por edhe besueshmëria për saktësinë e tyre do të jetë më e madhe.
Në tërësi, mund të thuhet se cilësia e ushqimeve që qarkullojnë në treg është e standardeve të lejueshme, ndërsa rrezik i përhershëm janë mallrat e kontrabanduara. Ato janë jashtë kontrollit, si në kufi, ashtu edhe në tregun brendshëm.