CEFTA, shkelet nga të gjitha vendet anëtare

Tiranë, 8 nëntor - Marrëveshja e tregtisë së lirë mes vendeve të rajonit, e njohur si CEFTA, po shkelet nga të gjitha vendet anëtare duke mos respektuar parimin themelor të saj, lëvizjen e lirë të mallrave.
Në mungesë të masave ekzekutive të mosrespektimit të tregtisë së lirë, secili vend anëtarë i dëmtuar si kundërmasë ndaj një vendi tjetër vendos masa reciprociteti, edhe pse në kundërshtim me marrëveshjen.
Pikërisht mosrespektimi CEFTA-s ka mbledhur dje në Tiranë 8 vendet nënshkruese të marrëveshjes, për të diskutuar rreth problemeve për mos-konsistencën në implementimin e rregullativës doganore, e cila sjell deri në ngadalësimin dhe miratimin e disa vendimeve njëanshme vendet anëtare.
Udhëheqësi i zyrës së CEFTA-s në Shkup, Ilir Shabani, është shprehur për \"KOHA\" se pothuajse të gjitha vendet anëtare shkelin marrëveshjen, por deri më sot asnjëri nga këto vende nuk është sanksionuar.
\"Kohë pas kohe vendet anëtare miratojnë vendimet të cilat janë në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA, mirëpo deri më sot asnjëra nga këto vend nuk është sanksionuar. Si masë e vetme sanksionuese ndaj këtyre vendimeve të njëanshme e që janë në kundërshtim me Marrëveshjen për tregti të lirë të mallrave, është përdorur vendosja e masave reciproke\", ka deklaruar Shabani, citon KOHA.
Ai konfirmon se mes vendeve anëtare ka barriera në zgjerimin e tregtisë rajonale, ndërsa thekson se në konferencën e Tiranës do të diskutohet edhe për zbatimin e masave ndëshkuese për ato vende që shkelin Marrëveshjen CEFTA.
\"Të gjithë anëtarët e CEFTA-së do të kërkojnë që në kuadër të drejtorive doganore të intensifikohet sistem i paralajmërimit paraprak dhe këmbim të informatave në nivel të rajonit, konsistencës në implementimin e rregullativës doganore, ndarje e kompetencave të shërbimeve inspektuese, si dhe qeveritë të përmbahen nga vendosja e masave të ndryshme mbrojtëse jashtë procedurave të CEFTA marrëveshjes\", sqaron ai.
Nga zyra e CEFTA-s në Prishtinë pranojnë se disa herë kanë sjellë vendime që janë në kundërshtim me këtë marrëveshje, por se të njëjtat janë ndërmarrë për shkak se edhe vende tjera të rajonit, siç janë Serbia, Maqedonia, BeH si nënshkruese, kanë sjellë vendime në nivel të qeverive të tyre për të parandaluar tregtimin mallrave nga Kosova drejt vendeve të tyre.
\"Pikërisht këto shtete fqinje shume herë kanë aplikuar procedura të komplikuara për kalimin e mallrave kosovare në vendkalimet kufitare, duke kërkuar dokumentacione shtesë apo kryerjen e kontrollit të mallrave, edhe pse kjo është në kundërshtim të marrëveshjes CEFTA. Kështu, Qeveria e Kosovës ka vendosur menjëherë masa reciprociteti për të detyruar vendet e rajonit, respektivisht shtetin fqinjë që menjëherë të shfuqizojnë vendimet e mëparshme\", thonë nga zyra e CEFTA-s në Kosovë.
CEFTA (Central European Free Trade Agreement) është një marrëveshje e tregtisë se lirë në të cilën marrin pjesë tetë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Moldavia. Marrëveshja e parë e CEFTA-s u nënshkrua nga Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia në dhjetor 1992 dhe hyri në fuqi në korrik 1994.
Nëpërmjet CEFTA-s këto vende pjesëmarrëse u mobilizuan për tiu qasur institucioneve politike, ligjore dhe ekonomike të Bashkimit Evropian, duke forcuar në këtë mënyrë demokracinë dhe ekonomitë e tyre te tregut. Sllovenia iu bashkua CEFTA-s në vitin 1996, Rumania në 1997, Bullgaria ne 1999, Kroacia në 2003 dhe Maqedonia në vitin 2006.