Bursat rriten, por FMN serish paralajmëron SHBA-në
New York, 3 janarr - Tregjet e aksioneve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mbarë botën janë rritur, pasi Kongresi Amerikan ka kaluar marrëveshjen e re buxhetore, e cila shmang paketën e rritjes së taksave dhe të shkurtimit të shpenzimeve, të njohur si tatëpjetë fiskale.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, megjithatë, ka paralajmëruar se legjislacioni nuk shkon aq larg sa për të adresuar deficitin e Amerikës dhe problemet me borxhe.
Zëdhënësi i FMN-së, Gerry Rice, ka thënë se pa marrëveshjen e miratuar të martën, ekonomia amerikane do të dilte nga binarët, por, sipas tij, mbetet edhe shumë punë për tu bërë që financat publike të SHBA-së të kthehen në një rrugë të qëndrueshme.