23 Dhjetor 2024

Bursat ranë serish, të shqetësuara nga ngadalësimi i ekonomisë

New York, 7 shtator - Bursat ranë ndjeshëm, të shqetësuara nga ngadalësimi i ekonomisë botërore dhe nga problemet e Greqisë që dolën në plan të parë ndërkohë që trazira të tjera prekin bankat pas një ankese dërguar organeve të drejtësisë së  Shteteve të Bashkuara te Amerikes kundër 17 institucioneve financiare.
    
Pas disa ditë qetësimi, fillimi i muajit shtator solli përsëri vargun e lajmeve negative, duke i futur përsëri bursat në të kuqe, në nivele aty-këtu të paprecedenta që prej dy vjetësh.
    
"Mosbesimi ndaj vlerave financiare është i madh, kriza e borxhit po bie përsëri mbi bankat. Situata është shumë, shumë e keqe", deklaroi përmbledhtazi Robert Halver, kryeanalist i tregut të kapitaleve në kompaninë Baader Bank në Frankfurt.
    
Megjithatë, paniku nuk duket se ka mbizotëruar sallat e tregjeve, që sidoqoftë janë të tronditura nga rënia e muajit gusht.
    
"Në Bursën e Frankfurtit, atmosfera është shumë e zymtë, operatorët janë përsëri shumë të përqendruar ashtu si në gusht", shtoi ky analist.
    
"Për momentin, nuk mund të themi se ka panik në Londër, sepse nuk ka patur shumë transaksione", bëri të ditur Manoj Ladwa, i kompanisë ETX Capital. "Kjo nuk ngjan me atë që ka ndodhur përpara një muaji kur pati shumë shitje. Sigurisht, nëse humbjet do të përshpejtoheshin dhe do të vazhdonin disa ditë, mund të jetë me të vërtetë ndryshe", shtoi ai.
    
Pa arritur të vënë gishtin në një ngjarje të veçantë, analistët përmendin, thellimin e parakohshëm të deficitit grek, zbatimin e planit të masave të rrepta në Itali, shifrat negative të punësimit në Amerikë apo edhe proceset gjyqësore në Shtetet e Bashkuara kundër 17 institucioneve financiare të përziera me kreditë hipotekare me risk.
    
Në orën e mbylljes, Bursa e Parisit ra me 4,73 për qind, CAC 40 kaloi nën kuotën e 3 000 pikëve për herë të parë që prej dy vjetëve. Por, në Frankfurt rënia ishte më e madhe, prej 5,28 për qind, e pasuar nga Bursa e Milanos që ra me 4,83 për qind. Madridi u mbyll gjithashtu me rënie prej 4,69 për qind, ndërsa Londra ra  me 3,58 për qind.
    
Tregjet amerikane ishin të mbyllura për shkak të ditës pushim në Shtetet e Bashkuara, gjë që rriti acarimin e operatorëve.
    
Në Azi, tregjet ishin tashmë në të kuqe: Tokioja ka patur rënie me 1,86 për qind, Hong Kongu 2,95 për qind dhe Shanghai 1,96 për qind.
    
Të premten, publikimi i shifrave negative të punësimit në Shtetet e Bashkuara e rriti ndjeshëm shqetësimin lidhur me shëndetin e ekonomisë amerikane: këto statistika treguan se ekonomia e Shteteve të Bashkuara nuk ka krijuar më vende të reja pune në gusht.
    
Në të njëjtën kohë, dosja greke që shqetëson zonën euro që prej disa muajve duket se do të dalë përsëri në plan të parë.
    
Ministri grek i Financave, Evangjelos Venizelos, pranoi të premten se vendi nuk do t'ia arrijë objektivit lidhur me deficitin publik të vitit 2011 për shkak të thellimit të recesionit.
    
Përfaqësuesit e Komisionit Evropian, të Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, dhe të Bankës Evropiane, BCE u larguan nga kryeqyteti grek dhe i dhanë qeverisë 10 ditë afat për të përparuar me reformat strukturore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)