Bursat greke rifillojnë aktivitetin me rënie drastike
Athinë, 3 gusht - Treguesi kryesor në Bursën e Athinës, Athex, ka rënë këtë të hënë me 22.87 për qind teksa aktiviteti i saj ka rinisur pas një javë bllokimi.
Katër bankat kryesore huadhënëse të Greqisë; Banka e Pireut, Banka Kombëtare, Alfa Bank dhe Eurobank ishin ato që pësuan rëniet më të mëdha, në total me 30 për qind.
Së bashku, bankat në fjalë përbëjnë 5 për qind të indeksit. Bursa ishte mbyllur vetëm pak kohë para se qeveria e Athinës të vendoste kontrollin e kapitaleve në kulmin e krizës së borxhit.
Ekonomistët kishin parashikuar rënie të theksuara si pasojë e mbylljes së aktivitetit të saj. Athex rekuperoi lehtë treguesin e saj në mëngjes, por pësoi sërish një rënie me 18 për qind në mesditë.
Në përputhje me kushtet e vendosura nga qeveria dhe Banka Qendrore Europiane, investitorëve vendas nuk u lejohet të blejnë aksione me paratë që rrjedhin nga llogaritë e tyre bankare, por vetëm me ato kesh që zotërojnë në kasafortat bankare ose në ato të shtëpive.
Ndërkohë, të dhëna të tjera të publikuara ditën e hënë tregojnë se aktiviteti grek i manifakturës u tkurr në muajin korrik në nivelin më të ulët historik, pasi mbyllja tre-javore e bankave shkaktoi një pikiatë të re dhe krijoi probleme serioze me furnizimin.