23 Dhjetor 2024

Bursat evropiane ranë përsëri nga frika e ekonomisë botërore

Londër, 23 shtator - Bursat evropiane ranë përsëri nga paniku i shkaktuar nga shqetësimet lidhur me perspektivat e ekonomisë botërore dhe tensionet që ekzistojnë në sektorët bankarë dhe Wall Street pati rënie të mëdha.

Pas një hapjeje tashmë me rënie të dukshme, shumica e bursave evropiane e theksuan rënien pasdite, duke e kaluar kuotën e -4 për qindëshit, madje -5 për qind në mbyllje.

Kështu, Bursa e Parisit ra me 5,25 për qind në mbyllje, Frankfurti me 4,96 për qind, Londra me 4,67 për qind, Milano me 4,52 për qind dhe Madridi me 4,62%.

Të minuar nga deklarata pesimiste të Bankës Qendrore Amerikane, Fed për shëndetin e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara, Dow Jones ra me 3,28 për qind dhe Nasdaq 2,61 për qind, të enjten pak pas orës 15:30 GMT.

"Fed-i na zhgënjeu dhe Evropa vazhdon të jetë në krizë. Kemi një grumbull lajmesh negative", komentoi Dov Adjedj, shitës aksionesh në kompaninë Aurel BGC.

Vlerat bankare, gjithmonë në vijën e parë, ranë ndjeshëm, ndërkohë që mundësia e një rritjeje të kapitalit të disa bankave evropiane po përmendet gjithmonë e më tepër.

Në Bursën e Parisit, titujt e Société Générale dhe të Crédit Agricole ranë me më tepër se 9 për qind.

Euroja e përshpejtoi rënien, duke rënë nën 1,34 dollarë, niveli i saj më i ulët që prej tetë muajve përballë kartëmonedhës së gjelbër.

Masat modeste të ndihmës dhe vizioni pesimist për të ardhmen e ekonomisë botërore të shprehura nga Fed-i kanë sjellë rënien e Wall Street-it edhe dje në mbrëmje.

Banka Qendrore u shpreh se rimëkëmbja ekonomike amerikane është "e ngadaltë" dhe e kërcënuar nga "rreziqe të mëdha". Ajo vendosi të shesë deri në fund të qershorit 2012 Bono Thesari me vlerë 400 miliardë dollarë dhe t'i blejë ato me një shifër të njëjtë me një maturim më të gjatë.

Dje janë prekur gjithashtu edhe bursat aziatike. Tokioja ra me 2,07 për qind në mbyllje dhe Hong Kongu 4,85 për qind, niveli i tij më i ulët që prej korrikut 2009.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)