Bursat evropiane mbyllen me rënie
Londër, 16 nëntor - Bursat evropiane, që e kanë përshëndetur me emërimin e Mario Montit në krye të qeverisë italiane, përfunduan me rënie, të përfshira nga perspektiva të zymta ekonomike në zonën euro dhe nga shqetësime të vazhdueshme për krizën e borxhit.
Në mbyllje, Bursa e Parisit ra me 1,28 për qind, Frankfurti me 1,19 për qind, Londra me 0,47 për qind, Madridi me 2,15 për qind dhe Milanoja me 1,99 për qind.
Spanja është objektivi i ri i mundshëm i mosbesimit të tregjeve. Vendi, që po përballet edhe me një borxh shumë të madh dhe që ka qenë në objektivin e tregjeve edhe në muajt e verës, ka patur rritje me më tepër se 6 për qind në obligacionet e me maturim 10 vjeçar.
"Ajo që ndodhi në Itali dhe në Greqi është pozitive, por tregu mbetet i kujdesshëm për sa kohë nuk ekziston ky vullnet i dukshëm në të gjitha vendet e Evropës, sidomos në Francë dhe Spanjë, për zvogëlimin e borxhit", u shpreh Guillaume Garabédian, analist financiar i Meeschaert Gestion Privée.
Përveç kësaj, dy lajme negative ndikuan në moralin e investitorëve: rënia në kundërshtim me të gjitha parashikimet, e prodhimit industrial në shtator në zonën euro dhe perspektiva për ngadalësim gjithmonë e më të dukshëm në ekonomitë e mëdha botërore, siç mësohet nga treguesit e OCDE-së.
"Zona euro po përballet me një goditje dyfishe, me rreptësinë buxhetore dhe me racionimin e kredisë", dhe presioni mbi bankat lidhur me rritjen e fondeve të tyre me efekte të dëmshme në perspektivat për rritje, thekson Oddo Securities.
Në hapje, bursat evropiane përshëndetën dje në mbrëmje Montin, një ekonomist i respektuar, duke shpresuar se ai do t'i japë fund mosbesimit të tregjeve ndaj Romës.
Dhe emetimi i obligacioneve italiane, mjaft i pritshëm, solli një rritje të kërkesës, por përqindjet u rritën shumë.
"Sigurisht, përqindjet janë të larta, por kjo është logjike dhe sidomos për shkak të marrjes së përfitimeve", shpjegoi Yves Marçais, shitës aksionesh në Global Equities.
Nju Jorku ndoqi tendencën evropiane dhe ra me 0,56 për qind rreth orës 18:00.
Në mungesë të publikimit të treguesve ekonomikë në Shtetet e Bashkuara, "pasiguria politike në Evropë vazhdon të monopolizojë vëmendjen", theksojnë analistët e korporatës ndërmjetësuese Charles Schwab.