22 Dhjetor 2024

Bursat evropiane e aziatike në rënie, amerikane pak ndryshime

Bruksel - Tokio - New York, 5 mars - Aksionet evropiane ranë paraditen e së enjtes nga majat 6-javore që prekën sesionin e kaluar. Sektori financiar ishte ai që u rrëzua më rëndë, përpara shpalljes së vendimeve nga Banka e Anglisë dhe Banka Qendrore Evropiane mbi normat e interesit, për të cilat analistët parashikojnë të mbeten sërish të ulëta, si dhe përpara publikimit në fundjavë të shifrave të punësimit në SHBA.

Indeksi panevropian FTSEurofirst 300 i aksioneve kryesore ra 0,5 përqind. Një ditë më parë ky indeks ishte rritur 0,8 përqind.
Bankat ishin mes humbësve më të mëdhenj. Standard Chartered, HSBC, Barclays, Lloyds, Royal Bank of Scotland, BNP Paribas, Societe Generale dhe Credit Agricole ranë nga 0,2 në 1,5 përqind.

Pavarësisht sqarimeve të një dite më parë për paketën e re të masave shtrënguese financiare të Greqisë, thonë analistët, ky vend ka dështuar t’i qetësojë nervat e investitorëve, dhe i vetmi qetësim për momentin mund të jenë vendimet që pritet të marrin Banka e Anglisë dhe ajo Qendrore Evropiane. Parashikimet janë që Banka Qendrore Evropiane do t’i ruajë në nivelin e ulët prej 1 përqind normat e interesit.

Një vendim i ngjashëm për ruajtjen e nivelit aktual pritet edhe nga ana e Bankës së Anglisë.

Grupi danez i naftës dhe transportit detar A.P. Moller Maersk ra 5,6 përqind sot në bursë, pasi drejtuesi i saj ekzekutiv deklaroi se nuk shpresonte që dega e kompanisë së transportit të konteinerëve Maersk Line të bëhej fitimprurëse edhe për ca kohë në vitin 2010.

Ndersa aksionet aziatike ranë të enjten dhe u përpoqën të ruanin fitimet e hershme të ditës, por rrëshqitën në territor negativ, pasi shqetësimet rreth Greqisë dhe parashikimi për ekonominë globale i bëri të kujdesshëm investitorët.

Besimi u sfumua në tregje, përpara publikimit të të dhënave mujore të punësimit në sektorin jobujqësor amerikan të premten. Analistët parathonë se stuhitë e dëborës në verilindje të SHBA-ve kanë ndikuar në të dhënat që priten të premten, por këshillojnë kujdes në leximin e këtyre të dhënave.

Indeksi MSCI i Azi-Paqësorit pa Japoninë ra 0,5 përqind, prej shqetësimeve rreth forcës së mëkëmbjes ekonomike globale dhe dyshimeve se kriza e borxhit në Greqi do të marrë fund shpejt. Bursat ranë pothuaj gjithandej në Azi, me përjashtimin e vetëm të asaj në Australi, e cila ka shënuar rritje falë rritjes së vlerës së lëndëve të para.

Wall Street e mbylli me fare pak ndryshime ditën e mërkurë, pasi shqetësimet rreth reformave rregullatore në sistemin bankar dhe rënia në tregje e kompanisë farmaceutike Pfizer i mbytën shenjat e përmirësimit të tregut të punës dhe sektorit të shërbimeve.

Indeksi mesatar industrial Dow Jones ra 0,09 përqind, indeksi SP500 u rrit 0,04 përqind, dhe indeksi i përbërë Nasdaq mbeti i pandryshuar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)