Bursat europiane në nivelet më të larta në dy vitet e fundit

Londër, 21 janar - Bursat europiane nisën mbarë këtë javë, duke kapur nivelet më të larta të dy viteve të fundit.
Inkurajuar nga takimi i ardhshëm për ekonominë botërore në Zvicër, tregjet amerikane gjithashtu reaguan me rritje të vlerës së aseteve, pas hapjes së tyre ditën e hënë.
Bursa e Londrës, FTSE 100 fitoi 0,3%, duke arritur në pikën më të lartë që prej vitit 2011. CAC 40, në Paris, gjithashtu u rrit me 0,3%.
Ndërkohë, ministrat e financave të vendeve të BE-së kanë lajmëruar mbajtjen e një takimi 2-ditor përpara nisjes së punimeve të forumit të Davos-it.
Qëllimi kryesor i këtyre bisedimeve do të jetë rakordimi i strategjive të ndryshme, për rikthimin e rritjes dhe daljen nga kriza aktuale e borxheve.
Rritja e vërejtur në bursat europiane dhe amerikane, nuk u shoqërua me të njëjtin hap edhe në tregjet e mëdha aziatike.
Bursat e Hang Seng-ut, në Hong Kong, regjistroi një rënie të lehtë, ndërsa më serioze ishin humbjet e Nikkei-t në Tokio, ku u regjistrua një humbje prej 1,5%.