Bursat europiane, kapin majat 2-mujore
Paris, 18 shkurt - Aksionet evropiane kapën majën dymujore të mërkurën, të udhëhequra nga sektori bankar, pasi Rezerva Federale amerikane u zotua të ruajë pranë zeros edhe për një periudhë të zgjatur kohe normat e interesit.
Rezerva u shpreh me tone optimiste edhe lidhur me tregun e punës dhe deklaroi se inflacioni ka të ngjarë të mbetet i kontrolluar. Ajo i la në nivelin nga 0 në 0,25 përqind normat ditore ndërbankare të interesit.
Indeksi panevropian FTSEurofirst 300 i aksioneve kryesore u rrit 0,3 përqind. Bankat ishin mes atyre që fituan mirë sot në bursa. Banka më e madhe italiane Unicredit fitoi 3,8 përqind, pasi theu parashikimet për fitimet neto të vitit 2009 dhe iu rikthye shpërndarjes së dividenteve në para kesh për aksionerët e vet. Banco Santander, Barclays, BNP Paribas dhe Deutsche Bank u rritën nga 0,4 në 0,9 përqind.
Edhe aksionet minerare ishin të kërkuara sot në tregje. Çmimi i bakrit u rrit 1,1 përqind më lart, ndërkohë që dollari mbeti në kuotat të ulëta njëmujore, pas vendimeve të fundit të Rezervës Federale. Anglo American, Antofagasta, BHP Billington, ENR, Rio Tinto dhe Xstrata u rritën nga 0,5 në 1,5 përqind.