Bursat aziatike mbyllen në rritje
Tokio, 14 gusht - Bursat aziatike janë mbyllur në rritje, pasi investitorët kanë preferuar asetet me risk, në pritje të të dhënave ekonomike në Europë dhe SHBA, për tremujorin e dytë të këtij viti.
Optimizmi relativ ka mbizotëruar në tregje dhe ka përforcuar ndjenjën e investitorëve se përkeqësimi i situatës globale do të detyrojë politikë-bërësit në rang global të marrin hapa të mëtejshme stimulues në nxitjen e ekonomisë.
Pas raportit të së Premtes, që tregoi një rënie të tregtisë në Kinë dhe ngadalësim të ekonomisë Japoneze në tremujorin e dytë, tashmë investitorët po presin Prodhimin e Brendshëm Bruto në Eurozonë për periudhën Prill-Qershor, dhe shitjet me pakicë dhe çmimet konsumatore në SHBA, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.
Indeksi MSCI për Azinë e Paqësorit pa Japoninë u rrit me 0.4%, ndërsa në Japoni, indeksi Nikkei avancoi me 0.5%.
Në tregun e lëndëve të para, bakri dhe nafta po tregtohen të qendrueshme, në pritje të raporteve nga Eurozona dhe SHBA, që do të japin efekte në çmimet e energjisë dhe lëndëve të para.
Nafta Brent e Londrës po tregohet në rënie të lehtë me 0.1% në 113.44 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane është në rritje me 0.2% në 92.93 dollarë për fuçi.
Ndërsa monedha europiane, euro, është rritur me 0.2% në raport me dollarin amerikan, në 1.2358 dollarë.
Në tregje ekziston një optimizëm i lartë se Banka QEndrore Europiane shumë shpejt do të ndërhyjë në tregjet e bonove për të blerë borxhin e Italisë dhe Spanjës, për të ulur koton e huamarrjes për këto dy vende.
Ndërsa Rezerva Federale në SHBA pritet të zgjerojë në tej programin e lehtësimin sasior në javët e ardhshme.