Bullgaria destinacioni numër një për kompanitë greke
Sofje, 31 tetor - Bullgaria bëhet strehim për investitorët, kapitalet dhe kompanitë greke, sepse tatimi korporativ është 10 për qind, ndërsa në Greqi 28 për qind.
2000 kompani greke e kanë transferuar biznesin e vet në Bullgari gjatë të dy vjetëve të fundit si pasojë e krizës financiare që e tronditi Greqinë.
Kapitali i tërhequr llogaritet të jetë afro 1 miliard euro. Këto të dhëna i shpalli ministri bullgar i financave Simeon Djankov në një intervistë për gazetën gjermane Die Welt para disa ditësh.
Bullgaria bëhet strehim për investitorët, kapitalet dhe kompanitë greke, sepse tatimi korporativ është 10%, ndërsa në fqinjën tonë jugore 28%.
Njëkohësisht edicioni GreekReporter përhapi informatën se pritet që deri në fund të vitit afro 800 kompani greke të transferojnë biznesin e tyre në territorin bullgar.
Bullgaria u bë destinacion numër një për sipërmarrësit grekë, sepse përveç tatimit të ulët mbi fitimin, shpenzimet për punë tek ne janë katër herë më të ulëta.
Sipas edicionit, aktiviteti ekonomik i biznesit grek tek ne llogaritet për 3 miliardë euro. Përveç kësaj janë hapur mbi 100 mijë vende pune.
Tashmë nuk ka asnjë bashki në Bullgari, ku të mos jenë regjistruar të paktën disa firma me kapital grek. Qytetet më të preferuara janë Blagoevgrad, Sandanski, Melnik, Goce Delçev, sepse ndodhen afër fqinjës sonë jugore.
Atraktive për biznesmenët janë dhe qytetet Sofje dhe Plovdiv. Kompanitë greke punojnë në të gjithë sektorët e ekonomisë industrinë e rëndë, industrinë e tekstileve, industrinë ushqimore, shërbimet.
Gjatë vitit të fundit ka dhe një mode të re ndër grekët. Ata blejnë në masë makina më të lira me 15% në Bullgari dhe i regjistrojnë këtu për shkak të çmimeve të ulëta të sigurimeve. Kjo vlen në veçanti për firmat e transportit.
Bullgaria u bë strehim jo vetëm për kapitalet greke, por gjithashtu shpëton paratë edhe të qytetarëve të zakonshëm. Shumë grekë hapin llogari në bankat bullgare, të shqetësuar nga rejtingu i ulur i thesareve të tyre dhe rreziku për falimentim të institucioneve të tyre financiare.
Në rajonet kufitare kjo është një praktikë masive. Depozitohen shuma nga disa qind deri disa mijë euro. Frika e grekëve vjen nga fakti se bankat e tyre bëjnë probleme kur merren shuma nga kursimet. U rrit dhe fluksi i parave të emigrantëve bullgarë në Greqi drejt bankave tona.
Greqia përpiqet të ndalë derdhjen e kapitaleve nga vendi që arrin deri në 40 miliardë euro nga fillimi i krizës buxhetore, duke zgjatur garancitë shtetërore të llogarive bankare deri në fund të vitit 2015. Shuma është baras me një të tretën e ndihmës që Athina kërkon nga BE-ja dhe FMN-ja.
Qeveria shqetësohet se tërheqja masive e parave nga vendi do të dobësojë edhe më shumë sistemin financiar dhe do të vështirësojnë rimëkëmbjen e tij.
Një tension suplementar krijojnë prognozat negative të agjencive ndërkombëtare të vlerësimit, të cilat pakësojnë vlerësimet e tyre për stabilitetin e bankave greke.
Derdhja e kapitaleve drejt bankave bullgare tregon se masat e qeverisë greke nuk veprojnë dhe nuk mund ti bindin klientët e bankave në stabilitetin e sektorit financiar.
Nga ana tjetër kompanitë greke nuk kanë stimul të investojnë në ekonominë e shtetit të tyre për shkak të konsumit tepër të ulur dhe keqësimit të pritur të situatës në vend.
Nga ana tjetër ekonomia bullgare ofron kushte të favorshme për biznes me tatimin më të ulët korporativ në BE, me TVSh më të ulët sesa në Greqi dhe me një borxh shtetëror ndër më të ulëtat në BE 18% të PBB-së, ndërsa borxhi i Greqisë është 160%.
Për kompanitë greke është e rëndësishme se në Bullgari procedura e regjistrimit të biznesit është shumë e lehtë. Ekspertët komentojnë se në këtë mënyrë biznesi grek përpiqet të shmangë Eurozonën dhe euron e mbivlerësuar. Le të rikujtojmë se Bullgaria ende nuk e ka pranuar euron si njësi monetare.
Por analizatorët paralajmërojnë se ekonomia bullgare gjithashtu është kërcënuar nga kriza në Eurozonë, kurse një e treta e bankave bullgare janë dega të korporatave financiare greke.