25 Dhjetor 2024

Britania shpreson të arrijë një marrëveshje tregtare me Bashkimin Europian

Londër, 4 mars - Kryeministrja britanike Theresa May ka deklaruar se Britania shpreson të arrijë një marrëveshje më të gjerë dhe më të thellë tregtare me Bashkimin Europian, por theksoi se kjo marrëveshje nuk duhet të cënojë mundësitë e punësimit.

Kryeministrja paraqiti 5 parime udhëzuese për bisedimet pasuese të Brexit-it duke përfshirë mbrojtjen e rasteve të punës e të sigurisë së qytetarëve, forcimin e bashkimit të Britanisë si mbretëri e bashkuar etj.

Tani ka përfunduar etapa e parë e bisedimeve të Brexit-it dhe etapa e dytë e bisedimeve do të fokusohet në marrëdhëniet tregtare midis dy palëve. BE-ja është partnerja e parë e madhe tregtare e Britanisë.

“Të gjithë duhet të përballemi me disa fakte të vështira. Po largohemi nga tregu i përbashkët. Do të ndryshojnë gjërat dhe do të kemi më pak qasje në tregjet e njëri-tjetrit”, tha zonja May.

Evropa ka deklaruar se nuk do ta lejojë Britaninë të përfitojë ç’të dëshirojë, ndërsa zonja May u kundërpërgjigj se dëshiron marrëdhënien më të ngushtë të mundshme.

“E vërteta është se çdo marrëveshje për tregtinë e lirë përcaktohet nga interesat reciproke të palëve. Pra, çdo marrëveshje synon përfitimin”, tha zonja May.

Kryeministrja May tha se Britania do të vazhdojë të jetë e ndërlidhur me Evropën në shumë fusha, si p.sh. duke vazhduar anëtarësimin në agjensitë e BE-së për mjekësinë, kiminë dhe aviacionin. Ndërsa bizneset përshëndetën bërjen të ditur të këtyre detajeve, analistët thonë se po thuhet shumë pak.

“Ajo flet për ruajtjen e begatisë së vendit dhe respektimin e rezultatit të referendumit, por nuk mendoj se ka thënë ndonjë gjë të re për objektivat”, thotë Peter Holmes, i Observatorit Britanik për Tregtinë, në Universitetin Sussex.

Ndër çështjet më të debatueshme është kufiri mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Gjithashtu, Bashkimi Evropian duket më i gatshëm për negociata. Kryenegociatori i BE-së paralajmëroi se të ashtuquajturat vija të kuqe të përcaktuara nga Britania pengojnë arritjen e një marrëveshjeje.

“Britania po ja mbyll dyert vetes, një nga një. I vetmi model që mbetet është ai i marrëveshjes së tregtisë së lirë, siç bëmë me Kanadanë, dhe siç po negociojmë me Japoninë dhe Korenë”, tha zoti Barnier.

Përveç negocimit me BE-në, Britanisë do t’i duhet të negociojë edhe me mbi 60 vende të tjera që kanë marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në.

“Gjysma e tregtisë tonë është me BE-në dhe rreth 15% me vende të treta që kanë marrëveshje tregtie me BE-në. Do t’i humbasim automatikisht këto marrëveshje të tregtisë së lirë në momentin që largohemi. Qeveria mendon se mund të arrijmë marrëveshje të reja më të mira. Mendoj se kjo nuk është kaq e lehtë”, thotë zoti Holmes.

Britania pritet të largohet nga BE-ja në marsin e vitit të ardhshëm, por dëshiron që të vijojë edhe një periudhë tranzicioni dy-vjeçare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)