BREZH përgatitur një pako të financimit prej 20 milionë euro për Interex-in
Prishtinë, 8 prill - Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) e ka përgatitur një pako të financimit deri në 20 milionë euro për Proex Sh.p.k., një nga rrjetet më të mëdha të dyqaneve me pakicë në Kosovë që operon 34 dyqane nën brendin Interex në mbarë vendin.
Një pjesë e financimit do të sigurohet nga Fondi për Zgjerimin e Ndërmarrjeve II për Ballkanin Perëndimor (ENEF II), që është themeluar me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE) dhe të cilin e menaxhon BERZh-i.
Marrëveshja për kredi u nënshkrua në zyrat e BERZh në Londër nga Drejtori Menaxhues i BERZh-it për Financa dhe Zhvillim të NVM-ve, Claudio Viezzoli, i cili është edhe anëtar i bordit të ENEF II, Drejtoresha e BERZh për Agribiznesin Natalia Zhukova, dhe Drejtori Menaxhues i Proex-it Ylber Kuraja.
Kjo kredi do t’i ndihmojë këtij zinxhiri që të zgjerohet në zona që aktualisht nuk shërbehen nga pika të mjaftueshme dhe moderne të shitjes me pakicë dhe të mbështesë procese dhe pajisje më efikase. Gjithashtu do ta mundësojë ndërtimin e një qendre logjistike moderne afër kryeqytetit, Prishtinës.
Natalia Zhukova tha: “Kemi kënaqësinë të vazhdojmë mbështetjen ndaj sektorin modern te shitjes me pakicë në Kosovë duke nënshkruar marrëveshjen e financimit për këtë projekt. Shitja moderne me pakicë nuk ka të bëjë vetëm me një përvojë më të mirë të blerjes, për të cilën kërkesa lokale po rritet."
"Ajo mund të jetë edhe shtysë e fuqishme e ekonomisë reale nëpërmjet zinxhirëve të vlerës, duke i mbështetur furnitorët lokalë mikro, të vegjël dhe të mesëm dhe duke krijuar vende të punës dhe inovacione, siç është logjistika moderne”.
Ylber Kuraja shtoi: “Jemi mirënjohës që jemi mysafir të BERZh-it dhe ENEF II për këtë ceremoni të nënshkrimit. Kjo marrëveshje nuk është vetëm miratim i modelit tonë të biznesit dhe planeve tona të ardhshme, por edhe mirënjohje e kontributit të sektorit të shitjes me pakicë në zhvillimin e Kosovës dhe e rëndësisë së tij në zinxhirin e vlerës.”
Kredia do te mbështes planet e Proex-it për investime kapitale te cilat përfshijnë shtimin e gjashtë dyqaneve të reja, pesë nga të cilat do të jenë në komunat jashtë Prishtinës, modernizimin e shtatë dyqaneve ekzistuese, si dhe ndërtimin e një qendre të re të logjistikës.
Bashkëpunimi teknik në kuadër të këtij projekti do të përfshijë zbatimin a masave të qëndrueshmërisë në përputhje me parimet e BREEAM-it për Ndërtesat e Gjelbra dhe do të mbështetet nga ENEF II dhe fondi DRIVE, që orientohet ndaj efikasitetit të burimeve dhe të cilin e ka krijuar Austria.
Kjo kompani do të investojë edhe në përmirësimin e standardeve të saj mjedisore, shëndetësore dhe të sigurisë në përputhje me planin e veprimit mjedisor dhe social të projektit, si dhe do ta ofrojë një program zhvillimi për lidership për punonjëset femra.
Duke nënshkruar në emër të ENEF II, si anëtar i bordit të fondit, Claudio Viezzoli tha: “Sot është një ditë e rëndësishme, sepse po e shënojmë projektin e parë të përbashkët midis BERZh dhe fondit të ri ENEF II. ENEF II është krijuar për ta zgjeruar ofertën e financimit për kompanitë private vendase në Ballkanin Perëndimor, me një theks të veçantë në përfshirjen e standardeve mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (MSQ). "
"Jemi shumë të kënaqur që Interex-i është investimi i parë në portofolin e fondit të ri, ndërsa presim me padurim që t’i mbështesim ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të tjera në mbarë rajonin, gjatë rrugëtimit të tyre drejt arritjes së standardeve MSQ dhe zhvillimit.”
ENEF II është fond i ri për investime që këshillohet dhe menaxhohet nga BERZh-i dhe që u jep kapital për zhvillim dhe zgjerim kompanive vendase që janë të përkushtuara që ta përmirësojnë performancën e tyre në raport me standardet MSQ në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni Veriore dhe Serbi. Fondi paraardhës i tij, ENEF, është lançuar në vitin 2011. Përveç vetë BERZh-it, investitorë në ENEF II janë edhe Bashkimi Evropian, Banka Italiane për Zhvillim, Cassa Depositi i Prestiti, dhe Banka Gjermane për Zhvillim, KfW. Ky fond është pjesë e Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor të BE-së.
BERZh-i i ka investuar 91 milion euro në Kosovë në vitin 2022.