Brexit, kërcënim për tregtinë e jashtme në Evropë
Berlin, 11 gusht - Largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian (Brexit) përbën një rrezik për tregtinë e jashtme në Evropë, ka thënë Dr. Klaus Günter Deutsch nga BDI.
Kreu i Departamentit të Kërkimeve, Politikës Industriale dhe Ekonomike në Federatën e Industrive Gjermane (BDI), Dr. Klaus Günter Deutsch, thotë se Brexit përbën një kërcënim për tregtinë e jashtme në Evropë, kurse politika tregtare amerikane ruan ende pasigurinë e saj. Në nivel të lartë rreziku janë më shumë mosmarrëveshjet tregtare.
Në një deklaratë në lidhje me rritjen e ekonomisë globale, Deutsch ka theksuar se ekonomia globale që nga viti i ri e deri tani ka marrë një vrull të fortë në masa të papritura dhe se rritja reale ekonomike kryesisht përmes Kinës, Japonisë dhe Eurozonës pritet të jetë 3,6 për qind në të gjithë botën.
Duke vënë theksin në rritjen e fortë që ka shënuar tregtia globale dhe prodhimi industrial, Deutsch thotë se "Eksportet në Azi, Amerikën e Veriut e Evropën Perëndimore po rriten në masë të madhe. Prodhimi industrial po rritet edhe në Eurozonë dhe Japoni".