Bosnja pranon vulat doganore të Republikës së Kosovës
Prishtinë, 19 tetor - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është njoftuar zyrtarisht nga Qeveria e Bosnjë e Hercegovinës përi vendimin e përbashkët të Këshillit Ministror dhe Presidencës së Bosnjë eHercegovinës të pranojë vulat doganore të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Bosnjë e Hercegovinës shpreh besimin që përmes këtij vendimi janë përmbushur të gjitha kushtet për shfuqizimin e Vendimit mbi parimet e reciprocitetit në marrëdhënie tregtare, të miratuara nga administrata e Kosovës, ne lidhje me mallrat me origjinë nga Bosnja e Hercegovina.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të ndërmarrë shumë shpejt hapat e ardhshëm në përgjigje të këtij vendimi dhe gjithmonë në përputhje me regjimin e rregullt tregtar të vendosur me marrëveshjen e CEFTA-s.
Qeveria e Republikës së Kosovës kishte marrë vendimin për vendosjen e reciprocitetit në marrëdhënie tregtare me shtetet anëtare të CEFTA-s, me datën 20 korrik 2011, që Bosnjë e Hercegovina e ndikoi ashtu që për mallrat që importoheshin ne Kosove nga ky shtet u vendos një taksë doganore prej 10%.