Borxhi i madh grek çrregullon sërish euron
Bruksel, 24 prill - Tregjet financiare ndërkombëtare reaguan negativisht pasi Bashkimi Evropian shqyrtoi shifrat për buxhetin dhe deficitin e Greqisë.
Agjencia Eurostat tha se deficiti i Greqisë në vitin 2009 ishte 13.6 % e bruto prodhimit shoqëror, e jo 12.7 %, sa ishte parashikuar më parë. Shkalla është disa herë më e lartë se kufiri i përcaktuar (3%) për 16 vendet që përdorin euron.
Sot euroja shënoi rënie për të gjashtën ditë me radhë. Tregjet amerikane gjithashtu e ndjenë ndikimin e krizës greke, ku indeksi industrial Dow Jones ra afro 70 pikë në hapje të bursës.
Ndersa sindikatat greke kanë njoftuar greva të reja dhe mitingje pas kërkesës së ndihmave që qeveria Papandreu i bëri BE-së dhë FMN-së.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat greke, sipas të cilave më 27 prill është parashikuar një protestë e re, ndërsa në ditët e para të muajit maj një greve e re e përgjithshme.
Qeveria e kryeministrit Jorgo Papandreu pranoi ndihmat e Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar duke premtuar si shkëmbim shkurtimin e shpenzimeve publike.
Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, do të vendosin shpejt mbi ndihmën financiare të kërkuar nga Greqia. "Jemi të gatshëm të veprojmë shpejt", u shpreh Drejtori i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn në Uashington. Ndërsa komisari i BE-së për valutën, Olli Rehn është shprehur, se pas përgatitjesh disajavore tani mund të veprohet shpejt dhe pa probleme.
FMN-ja dhe vendet e eurozonës janë të gatshme t'i japin Greqisë një ndihmë në vlerën prej 45 miliardë eurosh. Mali me borxhe i Greqisë kap kuotën 273 miliardë euro.
"Mekanizmi i ndihmave për Greqinë do të aktivizohet me shpejtësi, brenda fillimit të muajit maj", ka deklaruar komisioneri evropian për Cështjet Monetare, Olli Rehn, pas pranimit që Greqia i bëri ndihmës financiare nga FMN dhe BE.
Kryeministri grek Papandreu deklaroi dje nga ishulli i Kastelorizos, se duke mos pasur asnje rrugëdalje përballë situatës së vështirë ekonomike dhe spekulimit të tregjeve financiare, vendi duhej të kërkonte përfundimisht ndihmë nga BE-ja dhe FMN-ja.