Bizneset zvicerane ftohen të investojnë në Kosovë

Lozanë, 26 tetor - Në vazhdën e promovimit të Kosovës në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Promovimin e Investimeve në Kosovë në bashkëpunim me Odën Tregtare të Zvicrës, Nismën Ekonomike për Kosovë (ECIKS) dhe Ambasadën e Kosovës në Zvicër organizuan konferencën Investimet dhe Mundësitë Tregtare në Kosovë e cila u mbajt në Lozanë të Zvicrës.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila tregoi se Kosova po lëviz drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe se reformat që janë duke u marrë për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes, tashmë u konfirmuan edhe nga Banka Qëndrore Kosova ka pasur përparimin më të shpejt nga të gjitha vendet e Evropës Juglindore.
\"Nga pozita 126 këtë vit jemi ranguar në pozitën 98: një ngritje prej 28 pozitash. theksoi Kusari Lila duke treguar se në dy indikatorët kyç për të bërit biznes: fillimi i biznesit dhe mbrojtja e investitorëve është shënuar progres.
Në fakt në mbrojtjen e investitorëve jemi 76 pozita më mirë këtë vit se sa vitin e kaluar, përmirësimi më i mirë nga të gjithë indikatorët prej 185 shteteve, ndërsa në fillimin e biznesit jemi 44 pozita më lartë tha ajo.
Më tutje, zëvendëskryeministrja Kusari Lila foli për marrëdhëniet tregtare, infrastrukturën dhe përparësitë tjera që ofron Kosova karshi vendeve tjera për të investitorë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, prezantoi projektet e privatizimit dhe potencialin e investimeve në sektorin minerar, energjetik si dhe ne sektorin e telekomunikacionit. Ai gjithashtu theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të implementoj reformat strukturore të cilat kanë për qellim forcimin e sektorit privat.
Vendit me pjesëmarrje më të madhe të diasporës, ju drejtua me fjalim edhe Ministri i Diasporës z. Ibrahim Makolli i cili foli për rëndësinë e diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për planet e Ministrisë se drejtuar nga ai që të inkurajojë investimet nga diaspora.
Ndërsa në pjesën e dytë të konferencës, Kryeshefi i Agjencionit për Promovimin e Investimeve, Valdrin Lluka prezantoi mundësitë që ofron Kosova për investitorë si: fuqia e lirë punëtore masa preferenciale me SHBA, Japoni, Norvegji dhe BE.
Gjithashtu ai prezantoj edhe projektin e Brezovicës dhe projekte tjera konkrete ku bizneset zvicerane mund të vijnë të investojnë.
Audiencës iu drejtuan edhe investitor nga Zvicra që tanimë punojnë në Kosovë siç është kompania Moderna që operon në Gjakovë. Gjithashtu u prezantuan edhe mundësitë e financimit te projekteve investuese nga Qeveria e Zvicrës.
Konferenca Investimet dhe Mundësitë Tregtare në Kosovë zgjoi interesim tek dhjetëra biznese zvicerane. Ky organizim është në vazhdën e iniciativave të ndërmarra nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencia për Promovim të Investimeve për të promovuar mundësitë investuese në Kosovë.
Konferenca e radhës me të njëjtin qëllim do të mbahet javën e ardhshme me 29 dhe 30 tetor në Den Hague të Holandës.