Bizneset turke interesohen për të investuar në Kosovës
Prishtinë, 3 tetor - Ministrja Bajrami priti sot në takim Rifat Hisarciklioglu, zëvendëspresident i Asociacionit të Odave Ekonomike Evropiane (Eurochamber) dhe president i Unionit të Odave të Turqisë (TOBB), organizata më e madhe e bizneseve në Turqi që përfaqëson 365 asociacione të biznesit dhe mbi një milion kompani turke.
Në takim mori pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe një delegacion i TOBB-it.
Duke falënderuar Hisarciklioglu për vizitën e tij të parë në Kosovë, Ministrja Bajrami e informoi mysafirin nga Turqia për zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Ajo shtoi se me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Turqinë do të krijohet një momentum i ri për bizneset e të dyja vendeve për të rritur bashkëpunimin dhe për të investuar në projekte të reja.
Ministrja Bajrami theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit publiko-privat dhe shtoi se Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik është një forum i rëndësishëm që mundëson një bashkëpunim të tillë.
Roli i asociacioneve të biznesit dhe në veçanti i Odës Ekonomike të Kosovës është i një rëndësie të veçantë në mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të biznesit privat.
Ministrja Bajrami shprehu mirënjohjen e saj për angazhimin e z.Hisracilioglu në anëtarësimin e Odës Ekonomike të Kosovës në Eurochamber dhe ofroi përkrahjen e plotë të Qeverisë së Kosovës për këtë proces.
Rifat Hisarcıklıoğlu nga ana e tij tha që po e realizon vizitën e tij të parë në Kosovë me një mision të rëndësishëm për të parë nga afër zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe për të përgatitur një raport specifik për anëtarësimin e Odës Ekonomike të Kosovës në Eurochamber.
Duke folur në cilësinë e presidentit të Unionit të Odave të Turqisë, z. Hisarcıklıoğlu shprehu interesimin e shtuar të firmave turke për të investuar në Kosovës.