Bizneset nga Maqedonia e Kosova thellojnë bashkëpunimin
Kompanitë nga Maqedonia dhe Kosova u mblodhën në një takim një ditor për të diskutuar rreth klimës së investimeve në Kosovë dhe Maqedoni, për mundësitë e bashkëpunimit, dhe për zhvillimin e rrjetëzimit ndërmjet tyre.
Kryetari i OEAK Lekë Musa ka thënë ekonomitë e vendeve të rajonit duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të jenë më atraktive në tregun global.
Qëllimi është të promovojmë Kosovën si vend të investimeve mirëpo edhe të shohim se si mund të bashkëpunojnë dy vendet tona si dy ekonomi rajonale, të shohim se si këto ekonomi rajonale mund të bëhen më konkurruese në tregjet globale, tha Musa.
Ndërkaq Presidenti i Bordit të Drejtorëve të Odës Ekonomike Amerikane, Christopher Hall, tha se kjo nismë e OEAK-ut është shumë e rëndësishme dhe do të jetë e suksesshme për kontaktet biznes me biznes.
Nga ana tjetër, Jovan Madjovski, menaxher i Qendrës për Ndërmarrësi dhe Zhvillim, u shpreh se vet bizneset duhet të gjejnë interesin përbashkët për investime.
Ne jemi këtu kryesisht për të bërë Biznes për Biznes. Të ju japim mundësi për të takuar ndërmarrësit nga Maqedonia me afaristë nga Kosova. Ky është një program që po bëjmë në mënyrë paralele në shtetet e ndryshme rajonale, tha Jovan Madjovski.
Sipas tij, një takim i ardhshëm i këtij lloji do të mbahet në muajin maj në Shqipëri dhe Bullgari, ku pjesëmarrës do të jenë nga 8 vende rajonale. Sonja Mcgurk, kryetare e Odës Ekonomike Amerikane në Maqedoni, theksoi se ky bashkëpunim rajonal rritë vlerën e zhvillimit ekonomik ndërmjet këtyre vendeve.
Ndërsa, Mustafë Hasani, drejtor i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë, ka prezantuar para bizneseve maqedonase kushtet të cilat i posedon Kosova për investime. Ai ka theksuar se në Republikën e Kosovës, ekziston një rini e shëndoshë për punë dhe po ashtu edhe taksat administrative janë më të ulëtat në rajon.
E di që Maqedonia ka njohuri për Kosovën, por do të themi diçka më shumë për investime në Kosovë, pasi që Kosova është një shtet i ri dhe mjaft i vogël me popullatë 2.2 milionë banorë dhe që përdorë valutën monetare euro, tha Mustafa.
Mbrojtja e investimeve është në interes të Qeverisë së Kosovës. Pse duhet të investohet në Kosovë?, sepse Kosova posedon indikatorët me të mirë për të bërë biznes. Kryeqendra e Kosovës, Prishtina është mjaft atraktive për investime e po ashtu edhe qendrat tjera të vendit, tha Hasani. Ai ka treguar disa sektorë që janë mjaft të rëndësishëm për investime janë sistemi bankar, turizmi, bujqësia, energjetika etj.
Takimi sipas organizatoreve shërbeu si një mundësi për lidhjen e raporteve të reja afariste. Ishin me dhjetëra kompani vendore e nga vendi fqinj të cilët morën pjesë në takimin e ashtuquajtur Biznes për Biznes. Takimi pati për qëllim promovimin e Kosovës si një mjedis i përshtatshëm për afarizëm, por gjithashtu synon nxitjen e investimeve të kompanive të Maqedonisë në Kosovë.
Gjatë kësaj ngjarjeje u mbajtën edhe takime të ndara në mes të grupeve të ndryshme të industrisë. Takimet e ndara kanë qenë të fokusuara në sektorë të ndryshëm duke përfshirë këtu kompani nga sektori i ndertimtarisë, energjisë dhe përpuninimit të metaleve, prodhimit të ushqimit dhe produkteve bujqësore, shitjes me pakicë dhe shumicë, mjekësisë dhe produkteve farmaceutike, marketingut dhe mediave, financave dhe bankave, TI dhe telekomunikimit, transportit, mobileve dhe përpunimit të drurit, si dhe konsulencës. Prezente në takim ishin mbi 30 kompani maqedonase.
Ky takim Biznes me Biznes ofroi një mundësi të shkëlqyer për komunitetin e bizneseve në Kosovë dhe Maqedoni për tu lidhur dhe forcuar bashkëpunimin ndërmjet tyre.
Një takim i ardhshëm i këtij lloji do të mbahet në muajin maj në Shqipëri, ku pjesëmarrës do të jenë nga 8 vende rajonale.