Bizneset kosovare mbështesin vendimin për reciprocitetin
Prishtinë, 25 korrik - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, sot takoi komunitetin e biznesit në Odën Ekonomike të Kosovës të cilët u njoftuan për së afërmi me ecurinë dhe me respektimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës, për masat e reciprocitetit të vendosura ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Ministrja Kusari-Lila i njoftoi të pranishmit rreth ecurisë së mëtejme të masave reciproke që janë vendosur ndaj dy shteteve, Serbisë dhe BeH, të cilat deri më tani nuk kanë njohur vulat doganore të Kosovës, me çrast janë dëmtuar prodhuesit kosovarë dhe në përgjithësi ekonomia e Kosovës, duke bërë të pamundur që mallrat kosovare të depërtojnë në tregjet e evropiane nëpërmjet territorit të Serbisë.
Në takim, ministrja Kusari-Lila tha: Me këtë rast dua ta njoftoj komunitetin e biznesit se vendimi është i pakthyeshëm deri në momentin kur të njihen vulat e Doganave të Kosovës nga ana e autoriteteve të Serbisë.
Ministrja Kusari Lila, po ashtu shtoi se ne kemi vendosur për masa të reciprociteti dhe do të shkojmë në reciprocitet të plotë deri sa mallrat kosovare të qarkullojnë lirshëm nëpër territorin e këtyre vendeve.
Me këtë rast, ministrja Kusari-Lila u bëri apel prodhuesve dhe tregtarëve kosovarë, që të hulumtojnë tregje të reja dhe në këtë periudhë të inkurajojnë blerësit në ulje të çmimeve të produkteve që tregtojnë, duke afruar edhe më shumë me konsumatorin kosovarë.
Kurse, Naim Huruglica, drejtor i doganave të Kosovës, bëri të ditur se vendimi i Qeverisë së Kosovës është duke u zbatuar në përpikmëri dhe se është kuptuar edhe nga tregtarët se mallrat nga këto dy vende duhet tu nënshtrohen rregullave në bazë të këtij vendimi.
Përfaqësuesit e biznesit dhe asociacionet e biznesit e përshëndetën vendimin e ndërmarrë nga ana ministres, Kusari-Lila, për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe inkurajuan opinion se nuk do të ketë mungesë të produkteve, por përkundrazi produktet e deritashme të iportuara nga këto vende, do të zëvendësohen me produkte më cilësore dhe më të lira nga vendet të tjera dhe pse jo edhe nga ato të prodhuara në Koosovë.
Edhe në takimin e zhvilluar në ambientet e Aleancës Kosovare të Biznesit, vendimi për masat e reciprocitetit u mbështet nga të pranishmit.
Kryesuesi i AKB Agim Shahini, tha se ky vendim ka qenë mëse i nevojshëm dhe se duhet që gjejë mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare.
Po ashtu edhe gjatë këtij takimi bizneset kosovare e mbështetën vendimin e ditëve të fundit dhe premtuan se do të bëjnë të pamundurën për të sjellë më të mirën për konsumatorin, pasi në këtë pike ata nuk kanë një konkurent të padenjë në tregun e tyre.