09 Janar 2025

Bie sasia e importeve, rriten taksat për 2.08 për qind

Albulena S.Mavraj

 

Prishtinë, 13 prill -  Gjatë tremujorit të parë të këtij viti ka rënë pesha neto në sasinë e mallrave të importuara, mirëpo karshi kësaj, mbledhja e taksave ka shënuar rritje për 2.08 për qind.

Këto të dhëna janë bërë me dije me rastin e publikimit të performancës nga Dogana e Kosovës (DK) për tremujorin e parë të vitit 2015, në të cilin është përfshirë edhe krahasimi me vitin e kaluar (2014).

Sipas DK-së, gjatë këtyre tre muajve ka rënie të sasisë së mallrave të importuara, kurse ka rritje të lehtë të vlerave importuese. Po sipas DK-së, mbledhja e taksave ka shënuar rritje.

“Në periudhën raportuese 2014 - 2015 për regjimin IM4 (import), pesha neto ka rënë prej 88 722 685.51 kg, shprehur në përqindje, -12.61 për qind, përderisa taksat e mbledhura janë rritur.

Gjatë periudhës raportuese 2014 - 2015 për të gjitha regjimet e importit taksat kanë shënuar ngritje në shumën prej 3 394, 737. 06, shprehur në përqindje, 2.08 për qind”, është thënë në raportin e Doganës së Kosovës. Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2015 janë mbledhur 166.5 milionë euro, kurse vitin e kaluar 163.1 milionë euro. Ndërkaq kundërvajtjet doganore gjatë këtij viti kanë arritur në numrin 263.

Shahini: Dogana po bën presion, konsumatorët kanë ikur

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) Agim Shahini, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rritja e taksave në vlerë i konfirmon ankesat e vazhdueshme të bizneseve ndaj Doganës për keqtrajtim të tyre dhe vlerësim joreal të importit.

“Kjo tregon se Dogana e Kosovës po i rrit faturat në mënyrë që t’i arrijë objektivat në mbushjen e buxhetit”, ka thënë ai. Ndërkaq sa i përket rënies së peshës neto të importit, ai ka thënë se kjo ka ardhur si rezultat i ikjes së mbi 100 mijë konsumatorëve nga Kosova.

“Duhet të ngritet një nivel kontrollues më i madh te Dogana e Kosovës në mënyrë që bizneset të mos bien viktimë e kërkesës së Doganës për mbushje të buxhetit, por të paguajnë vlera për të cilat i kanë blerë mallrat”, është shprehur Shahini.

Sipas tij, tashmë bizneset kanë humbur motivacionet, pasi Dogana po i refuzon edhe ankesat e bizneseve. “Ky keqtrajtim i bizneseve dhe operatorëve ekonomikë nuk ka filluar sot, por kjo taktikë e keqe po vazhdon që nga viti i kaluar”, është shprehur ai.

Beqiri: Qeveria e Kosovës e ka për detyrë të ofrojë politika të favorshme

Kurse njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri, rënien e importeve e ka cilësuar si lajm të mirë për bizneset vendore, por dhe për konsumatorët sa i përket sigurisë së tyre.

“Rënia e importit padyshim se është një lajm i mirëpritur, sidomos për bizneset vendore, por edhe për konsumatorët sa i përket sigurisë së tyre”, ka thënë Beqiri.

Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka për detyre të hartojë politika të favorshme në mbështetje të produkteve vendore, posaçërisht atyre tradicionale siç janë: qumështi, domatet, patatet, mishi etj.

Ndërsa sa i përket mbledhjes së taksave, ai ka deklaruar se ky është një lajm i mirëpritur dhe një dëshmi se jemi në rrugë të mirë për ta zvogëluar ekonominë informale, sidomos në pjesën veriore.

“Besoj se problemin më të madh Kosovës ia shkakton ajo pjesë në pamundësi të kontrollit të duhur”, ka thënë Beqiri, duke shtuar se rritja e taksave dhe zvogëlimi i TVSH-së ka qenë një nguti e madhe. “Kur jemi te propozimi për rikthimin e tatimit mbi dividendë, investitorët e huaj ose vendorë fillimisht e bëjnë një kalkulim se për sa vite do ta kthejnë atë investim, duke llogaritur taksat e vendit përkatës, stabilitetin e vendit, stabilitetin e tatimeve.

Që ndërrimi i taksave të bëhet sapo të ndërrohen qeveritë është i papranueshëm dhe tejet i pakuptimtë për situatën e vështirë ekonomike në të cilën jemi. Qeveria duhet ta ketë parasysh se jemi në prag të një katastrofe ekonomike”, ka deklaruar ai, duke shtuar:

“Kosova i ka mbi 100 mijë njerëz nën asistencë sociale, një papunësi rekorde mbi 45 për qind, një sistem marramendës të kamatave dhe një korrupsion e mossundim të ligjit, që ende po i kontribuojnë largimit të investitorëve.

Mendoj se Dogana duhet të jetë më efikase. I bëj thirrje Doganës që të ketë më shumë pika kontrolluese dhe të jetë më vigjilente. Nuk është qëllimi i rritjes së numrit të kundërvajtjeve, por e rëndësishme është mesazhi se Dogana e ka marrë këtë punë me seriozitet dhe duhet ta kryejë punën e vet ashtu siç është e thirrur me ligj”, ka përfunduar ai.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)