Berza e Punësimit 2010 edhe në Gjilan
![Berza e Punësimit 2010 edhe në Gjilan](http://ekonomia.info/repository/images/main/gjilan.jpg)
Prishtinë, 11 maj - Sot në Gjilan u hap Berza e Punësimit 2010 e organizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komuna e Gjilanit me synim të punësimit të punëkërkuesve dhe ngritjen e partneritetit publiko-priva.
Ministëri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rasic, tha se është hera e parë, që Berza e punësimit hapet edhe në Gjilan.
Ai kërkoi nga kompanitë e rajonit të Gjilanit që, sipas mundësive të tyre, të punësojnë një numër të punëkërkuesve, në mënyrë që shoqëria kosovare ta përballojë sa më lehtë këtë fazë të tranzicionit.
Sfidat janë të shumta, por ne nuk do të dorëzohemi në kërkim të gjetjes së mundësive për ti punësuar ata që janë të përgatitur për punë, për tua lehtësuar kështu jetën familjeve kosovare, tha ministri.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB) tha se projekti ka për qëllim që ta ngrit komunikimin mes punëdhënësve dhe punëmarrësve.
Shahini nga AKB-ja tha se logoja Eja punësohu , është një mundësi e re, është më shumë se thirrje sepse i mundëson punëkërkuesit, që në 35 kompani të rajonit të Gjilanit të kërkojë punë.
Ndërkaq, Qemajl Mustafa, kryetar i komunës së Gjilanit tha se kjo nismë është e mirë për punëkërkuesit dhe punëdhënësit e komunës, rajonit dhe Kosovës.
Ai tha se ky organizim i përbashkët po bëhet në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve kosovarë.
Pas Gjilanit bursa do të hapet edhe në Prizren, Pejë dhe në Prishtinë.
Ndryshe, në Gjilan, komuna dhe AKB-ja kanë nënshkruar ditë më parë edhe një marrëveshje mirëkuptimi me Agjencinë Rajonale ZhvillimoreLindje (AZHR), e cila mbështetet nga Komisioni Evropian dhe ka qëllim zhvillimin e komunave të rajonit të lindjes.