Beqaj: Reciprociteti parakusht për konkurrencë të lirë
Shkup, 20 gusht - Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit brenda territorit të Republikës së Kosovës, ka për qëllim eliminimin e të gjitha veprimeve dashakeqëse për zhvillim ekonomik të Republikës së Kosovës, dhe nuk është i drejtuar kundër askujt, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj.
Këto komente ministri Beqaj i bëri dje në Shkup pas takimit me homologun e tij, ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë, Valon Saraçini, me çrast ka ftuar bizneset maqedonase të hyjnë në tregun e Kosovës, jo për të përfituar sa më shumë treg, por për të qëndruar gjatë në treg.
Beqaj tha se Qeveria e Kosovës tanimë ka në prioritet zhvillimin ekonomik dhe ky zhvillim bazohet në hapjen e tregut dhe largimin e qeverisë nga biznesi duke forcuar sektorit privat e normalisht edhe në krijimin e partneriteteve publiko private në nivel vendi dhe në nivel ndërkombëtar.
Duke komentuar vendimin për reciprocitet, Beqaj tha se ky vendimi nuk ka pasur për synim që të sulmojë askënd, nuk ka pasur për synim dëmtimin e asnjë ekonomie por ka pasur për synim vënien e rendit dhe ligjit në territorin ndërkombëtarisht të njohur nga më se 80 shtete.
Ky është detyrim ndërkombëtar, parakusht për integrim që ne të menaxhojmë të kontrollojmë dhe të eliminojmë të gjitha veprimet e këqija brenda territorit në mënyrë që të kemi konkurrencë të lirë, tha Beqaj.
Kreu i MZHE-së ka kërkuar që shkëmbimi tregtar mes dy vendeve të shkojë në atë drejtim të balancimit të tij, duke ditur se Kosova importon nga Maqedonia rreth 300 milionë euro, derisa vlera e importit është 23 milionë euro.
Nga ana e tij, ministri i Ekonomisë të Maqedonisë, Valon Saraçini ka vlerësuar se dy vendet kanë marrdhënie të mira miqësore, politike dhe ekonomike me tendencë që të zhvillohet edhe më mirë.
Republika e Kosovës është një ndër partnerët më të mirë tregtar të Republikës së Maqeodnisë, është në vendin e 7 sipas shkëmbimit tregtar dhe në strukturën e eksportit zë vendin e dytë, tha Saraçini.
Ai tha se masat për reciprcitet duhet të shfrytëzohen nga kompanitë e Maqedonsë në mënyrë sa më të mirë dhe të fillojnë strategjinë për të plasuar produktet e tyre në tregun kosovar.
Më pas Ministri Beqaj ka marrë pjesë në takimin e afaristëve nga të dy vendet organizuae nga Aleanca Kosovare e Biznesit dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, ku është theksuar se këto dy subjekte kanë marrë të gjitha masat me qëllim të rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve.