Beqaj: Qeveria po shqyrton lehtësirat fiskale për bizneset
Prishtinë, 26 gusht - Ministria e Zhvillimit Ekonomik së bashku me Ministrinë e Financave janë duke shqyrtuar një pako fiskale me të cilën synohet krijimi i lehtësirave fiskale për bizneset që krijojnë vende të reja pune dhe kjo do të jetë një stimulim për biznesin vendor ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.
Këto komente, Beqaj i bëri sot gjatë vizitës në Komunën e Gjakovës, ku mori pjesë në inaugurimin e Fabrikës për grumbullimin dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve Hosa në Rogovë të Gjakovës, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, përfaqësues të USAID-it, zyrtarë lokalë dhe afaristë.
Ministri Beqaj tha me këtë rast se ndërtimi i kapaciteteve prodhuese dhe rritja e eksportit të produkteve vendore është qëllimi i Qeverisë së Kosovës, e cila do të bëjë krejt çka është e mundur për mbështetjen e biznesit.
Ai tha se Kosova edhe në të kaluarën ka qenë e njohur në tregun evropian dhe më gjerë me produktet e saj, dhe me përkrahjen e institucioneve produktet e Kosovës do të gjejnë këtë treg, i cili nuk do të kufizohet vetëm me Zvicrën apo fqinjët.
Beqaj ka bërë të ditur se MZHE së bashku me MBPZHR-në do të investojnë në rehabilitimin e sistemit të ujitjes, i cili do të krijojë kushtet e favorshme për rritjen e produktivitetit bujqësor, ndërsa falënderoi USAID-in dhe akterët tjetër që kanë kontribuar në zhvillimin e bizneseve siç është ajo për përpunimin e pemëve dhe perimeve në Rogovë.
Në kuadër të kësaj vizite, ministri Beqaj ka vizituar Kompaninë Rajonale për Ujitje Radoniqi-Dukagjini, Kompaninë Nertili dhe Niki-S në këtë komunë me çrast është njohur për së afërmi me aktivitetin e tyre dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen.
Ministri Beqaj u ka ofruar kompanive në fjalë tërë mbështetjen institucionale konform bazës ligjore duke theksuar qëndrimin e Qeverisë për krijimin e të gjitha kushteve për zhvillimin e biznesit privat, ndërsa përkrahje për kompanitë publike në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Nga ana e tyre, përfaqësues të kompanive private Nertili dhe Niki-S kanë theksuar se masat e reciprocitetit të marra nga Qeveria kanë ndikuar pozitivisht në afarizmin e tyre, duke shtuar se kanë shtuar kapacitet punuese që të shfrytëzohen mundësitë e krijuara.
Vizita e ministrit Beqaj në Komunën e Gjakovës bëhet në kuadër të vizitave në qendrat rajonale të vendit për tu njohur për së afërmi me gjendjen ekonomike dhe performancën e kompanive publike.