23 Dhjetor 2024

Beqaj: Mallrat serbe po zëvendësohen pa probleme

Prishtinë, 10 gusht - Procesi i zëvendësimit të mallrave me origjinë serbe me mallra tjera po zhvillohet pa ndonjë problem, ndërsa vendimi i Qeverisë për reciprocitet me Serbinë është duke u zbatuar në mënyrë strikte, ka deklaruar sot ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj gjatë vizitës në Komunën e Gjilanit.

Me këtë rast, ministri Beqaj me bashkëpunëtorë ka takuar kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemal Mustafa, ka vizituar Ujësjellësin Rajonal dhe kompaninë private për prodhimin e pajisjeve të metalit“Megi”.

Ministri Beqaj tha se qëllim i kësaj vizite ishte në Gjilan ishte të njihet me konceptet zhvillimore të kësaj komune në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm pas vendimit të qeverisë për vënien e reciprocitetit për t’u përkujdesur për furnizimin me mallrat e domosdoshme, kualitative dhe për të shikuar eventualisht ndonjë tendencë për keqpërdorim të situatës që mund të na rrjedh qoftë nga ndërmarrjet vendore por edhe në nivel rajonal.

“Procesi i zëvendësimit të produkteve të importuara nga Serbia po shkon jashtëzakonisht mirë dhe ka ndërmarrje kosovare që po krijojnë partneritet me ndërmarrje në nivel rajonal dhe kjo po tregon që ndërmarrësit tonë janë shumë fleksibil dhe janë shumë të përgjegjshëm për situatën e krijuar duke treguar një bashkëpunim të jashtëzakonisht të mirë”, tha ai.
Beqaj tha se ka njoftuar kreun e komunës me vendimin e MZHE-së që ndërmarrjeve publike tu ndalohet çdo lloj importi i mallrave me origjinë nga Serbia.

Ministri ka thënë se institucionet lokale të kësaj komune kanë orientime të qarta me karakter zhvillimor por edhe me karakter të punësimit dhe krejt kjo shkon në të njëjtën linjë me planin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, i cili tenton ta fuqizojë sektorin privat, të ketë shërbime sa më të mira për qytetarët dhe rritje ekonomike deri në 8 për qind.

Nga ana e tij, kryetari i Gjilanit Qemal Mustafa ka thënë se me ministrin Beqaj ka biseduar për gjendjen aktuale pas vendosjes së masave të reciprocitetit me Serbisë dhe rolin e pushtetit lokal në zhvillimin ekonomik të vendit.

Mustafa ka theksuar se institucionet komunale janë duke e përcjellur me vëmendje të veçantë gjendjen dhe kanë marrë të gjitha masat që të ofrohen shërbime sa më të mira për qytetarët, ndërsa ka falënderuar MZHE-në për mbështetjen.

Më pas Ministri Beqaj ka vizituar Ujësjellësin Rajonal të Gjilanit, ku nga drejtuesit e tij është njoftuar me gjendjen e kësaj ndërmarrje publike, sfidat që ballafaqohet ajo dhe masat e ndërmarra për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët.

Ndërkaq, gjatë vizitës në kompaninë private për prodhimin e pajisjeve të metalit “Megi”, Beqaj është njoftuar me aktivitetin e saj dhe mundësitë që ofron masa e reciprocitetit për shtrirjen e saj në tregun e brendshëm.

Vizita e ministrit të Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Gjilanit bëhet në kuadër të vizitave që Beqaj po zhvillon në qendrat komunale për tu njohur për së afërmi me gjendjen aktuale dhe orientimet e tyre të zhvillimit ekonomik.




Imer Koca

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)