Beqaj: Kosova ka nevojë për investime direkte
Prishtinë, 28 janar - Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj ka pritur ambasadoren kanadeze jo - rezidente në Zagreb për Kosovën Louise LaRocque e shoqëruar nga Bill McCrimmon-Konsulli i Ambasadës.
Temë e takimit ishte zhvillimi i diplomacisë ekonomike në mes të dyja vendeve si dhe gjetja e mundësive të bashkëpunimit në sektor të ndryshëm të ekonomisë.
Me këtë rast ministri Beqaj ka informuar ambasadoren kanadeze LaRocque për gjendjen ekonomike të Kosovës duke u shprehur se rimëkëmbja ekonomike në vendet e prekura nga kriza ekonomike do të fillojë të ndodhë .
Kosova ka nevojë për investime të huaja direkte në mënyrë që të stimulohet zhvillimi i sektorit privat dhe në këtë mënyrë të rritet zhvillimi i prodhimit vendor, ka thënë Beqaj duke shtuar se të gjitha iniciativat lidhur me krijimin e bazës legjislative për sektorët strategjik të ekonomisë janë ndërmarr.
Po ashtu ministri Beqaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të gjithë investitorët e interesuar për të investuar në Kosovë të trajtohen barabartë konform akteve ligjore në fuqi dhe me transparencë të plotë .
Po ashtu kreu i MZHE-së Besim Beqaj ka njoftuar ambasadoren LaRocque për organizmin e konferencës së donatorëve në sektorin e energjisë që pritet të mbahet gjatë këtij viti dhe me këtë rast ka ftuar që agjencitë dhe organizatat donatore nga Kanada të jenë pjesë e konferencës.
Ndërsa ambasadorja kanadeze LaRocque ka vlerësuar lartë të arriturat e Kosovës nga shpallja e pavarësisë si në aspektin politik po ashtu edhe në rafshin ekonomik, duke u shprehur se resurset humane janë ndër kapacitetet më të mëdha që ka Kosova.
Ndërsa, ministri Beqaj e ka njoftuar ambasadoren për mundësitë e investimeve në fushat siç janë bujqësia, teknologjia informative, turizmi, efiçienca e energjisë dhe minierat.