Beqaj, 2012 vit i investimeve publike
Prishtinë, 26 nëntor - Ky vit është vit i investimeve në sektorin publik, ku Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me donatorë por edhe me projekte komunale ka shpenzuar më se 85 milionë euro në ujësjellës, rrugë, kanalizime, në projekte të cilat e bëjnë jetën e qytetarëve të Kosovë më të mirë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.
Këto komente, Beqaj i bëri në ceremoninë e përurimit të ujësjellësit për shtatë fshatra të Komunës së Suharekës, ku të pranishëm ishin edhe kreu i komunës së Suharekës, Blerim Kuçi, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lank, drejtues të Hidro Regjionit dhe banorë të shumtë të fshatrave përfituese .
Sot me këtë përurim të ujësjellësit të këtyre fshatrave, Qeveria e Republikës së Kosovës po kryen një obligim në bashkëpunim me Komunën, Ambasadën e Zvicrës dhe SDC-në që tu sjell një jetë më të mirë qytetarëve të saj, tha Beqaj, duke shtuar se ky është orientimi Qeverisë dhe i të gjithë atyre zyrtarëve që kanë marrë besimin e qytetarëve.
Kreu i MZHE-së në emër të Qeverisë së Kosovës ka falënderuar Qeverinë Zvicerane që ndau nga mjetet e taksapaguesve të saj 8.1 milionë euro, fond të cilit i janë shtuar edhe 2 milionë euro nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik për përmirësimin e shërbimeve me ujësjellës në rajonin e Kosovës juglindore.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Suharekës, Blerim Kuçi vlerësoi se ky projekt është një donacion i qytetarëve të Zvicrës që këto 7 fshatra të Suharekës të kenë furnizim më të mirë dhe nga sot kjo komunë jonë do të ketë shërbime më të mira falë investimit nga Zvicra dhe MZHE.
Nga ana e saj, Ambasadorja e Zvicrës, Krystyna Marty Lank tha se projekti aktual ka bërë të mundur ndërtimin e sistemit të ujësjellësit duke mbuluar 7 fshatra të Suharekës me përafërsisht 14 mijë banorë.
Ajo tha se rezultati i sotëm është rezultati bashkëpunimit të shkëlqyer në kontributin e Qeverisë Zvicerane, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Komunës së Suharekës.
Marty Lank tha se Zvicra ka ndihmuar sektorin e ujërave nga vitit 1999 dhe deri më tani janë ndërtuar rreth 50 sisteme ujësjellësi duke mbuluar 73 fshatra, ndërsa tha se do të vazhdojë mbështetja edhe për vitet 2013-2016.
Ndryshe nga ky projekt, që arrin vlerën 600 mijë euro përfitojnë fshatrat e Komunës së Suharekës; Grejkoc, Gjinoc, Gelancë, Leshan, Topliçan, Tërrinje dhe Neperbisht.