Beogradi kërkon rishikimin e marrëveshjes për doganat

Beograd, 26 shtator - Në negociatat për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare, apo siç thotë Beogradi, për kontrollin e kalimeve administrative në Kosovë, Serbia insiston që çështjet doganore ti zbatojë kryekëput EULEX-i.
Gazeta Veçernje novosti në numrin e sotëm, duke iu referuar një burimi të Qeverisë serbe, shkruan se Beogradi së shpejti do të formojë një grup pune, i cili gjatë negociatave do të përpiqet të përmirësojë disa detaje të marrëveshjes siç thuhet, të pavolitshme për Beogradin, ndërsa vëmendje të posaçme do ti kushtohet statusit të pikave kufitare Bërnjak dhe Jarinje.
Zyrtarët e Beogradit, sipas gazetës, kanë përgënjeshtruar komesionerin Shtefan Fyle, i cili të hënën ka uruar autoritetet serbe për nënshkrimin e protokollit për vendkalimet, duke pohuar se kjo nuk ka ndodhur.