BE rikthen masat tregtare autonome me Kosovën
Prishtinë, 4 janar - Masat tregtare autonome, të cilat u sigurojnë eksportuesve nga Kosova qasje të liruar nga dogana në tregun e BE-së, u rikthyen më 30 dhjetor 2011.
Khaldoun Sinno, Ushtrues Detyre i Kryesuesit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë deklaroi se ky është vendim i rëndësishëm për bizneset kosovare të cilat eksportojnë në BE.
"Ripërtëritja e preferencave tregtare do tju mundësojë bizneseve një qasje shumë më të lehtë në tregjet e BE-së dhe pritet që të çojnë përpara eksportin e Kosovës në BE.
Masat tregtare autonome aplikohen për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe sigurojnë qasje të liruar nga dogana në tregun e BE-së për pothuajse të gjitha mallrat me origjinë nga rajoni.
Synim kryesor i preferencave tregtare, të cilat janë vendosur për të gjitha shtetet që janë pjesë e procesit të Stabilizim-Asocimit, është që përmes një qasjeje të privilegjuar në tregun e BE-së të revitalizohen ekonomitë e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Këto preferenca tregtare i ishin dhënë edhe Kosovës në të kaluarën, mirëpo regjimi përfundoi më 31 dhjetor 2010.
Rregullorja e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së Këshillit (KE) nr. 1215/2009 për vendosjen e masave tregtare të veçanta për shtetet dhe territoret që janë pjesë ose janë të përfshira në procesin e Stabilizim-Asocimit të Bashkimit Evropian, u miratua nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 24 nëntor 2011.
Me këtë rregullore ripërtërihet e drejta për qasje të liruar nga dogana në tregun e BE-së për pothuajse të gjitha mallrat, pa sasi të kufizuar, me origjinë nga Kosova, deri në fund të vitit 2015.
Rregullorja ka gjithashtu edhe një efekt retroaktiv, që do të thotë se eksportuesve nga Kosova, të cilët gjatë periudhës prej 1 janarit 2011 deri në hyrjen në fuqi të Rregullores u kanë paguar taksa doganore shteteve të BE-së, do tju kompensohen taksat e paguara.
Masat tregtare sigurojnë një kornizë të favorshme për zhvillimin e tregtisë mes BE-së dhe rajonit. Gjithashtu, ato nxisin investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe zhvillimin ekonomik.
Meqë shtetet e BE-së tashmë janë partneri më i madh tregtar i Kosovës, zbatimi i masave tregtare autonome vetëm se do ta çojë përpara tregtinë dhe eksportin e Kosovës në BE. Në vitin 2010, vlera totale e eksportit të Kosovës në BE kishte arritur shumën prej 147 milionë euro.
Në vitin 2000, Bashkimi Evropian për herë të parë krijoi një qasje të veçantë të liruar nga dogana në tregun e BE-së për pothuajse të gjitha mallrat, pa sasi të kufizuar, me origjinë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kroacia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova), përmes Rregullores (KE) nr. 2007/2000.
Vetëm vera, sheqeri, produkte të caktuara të mishit të lopës dhe të peshkatarisë hyjnë në BE me tarifa preferenciale, ashtu siç është negociuar në marrëveshjet e Stabilizim-Asocimit.