BE paralajmëron SHBA-në për tarifat ndaj makinave
Bruksel, 3 korrik - Bashkimi Evropian (BE) ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) se vendosja e tarifave ndaj makinave do të rezultonte në dëmtimin e ekonomisë amerikane dhe ndoshta në veprime hakmarrëse nga partnerët e saj tregtarë.
Në një letër të dërguar të premten Departamentit amerikan të Tregtisë, Bashkimi Evropian thotë se tarifat për makinat evropiane dhe pjesë të tyre, janë të pajustifikuara.
Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar vendosjen e një tarife prej 20 për qind për importet e makinave evropiane, duke përmendur shqetësimet lidhur me sigurinë. Nuk është ende e qartë se për çfarë shqetësimesh bëhet fjalë.
Në letrën e BE-së thuhet se "në vitin 2017, kompanitë evropiane me bazë në SHBA prodhuan afro 2.9 milionë makina, të cilat përbënin 26 për qind të prodhimit të përgjithshëm amerikan". Në letër thuhet gjithashtu se kompanitë evropiane të makinave janë "pozicionuara mirë" në Shtetet e Bashkuara.
Industria evropiane e makinave në Shtetet e Bashkuara mbështet rreth 120 mijë vende pune në fabrikat e saj të hapuara kryesisht në rajonin jugor të vendit. Një luftë tarifash, mund të ndikonte negativisht në këtë rajon të njohur për mbështetjen ndaj presidentit Trump.