BE nuk lejon hyrjen Britanisë në tregun e Unionit
Bruksel, 30 qershor - Bashkimi Evropian ka vendosur që të mos i lejojë Britanisë hyrjen në tregun e vetëm të Unionit, nëse Londra nuk pranon rregullat e BE-së mbi lëvizjen e lirë të njerëzve.
Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk theksoi të mërkurën se udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së ranë dakord të gjithë me vendimin:
\"Liderët e bënë të qartë sot se hyrja në tregun e vetëm kërkon pranimin e të katër lirive, duke përfshirë edhe lirinë e lëvizjes. Nuk do të ketë treg të vetëm me zgjedhje\".
Komenteve të Tuskut u bëri jehonë edhe Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, që tha se hyrja në tregun e vetëm do të kërkojë zbatimin e të katër lirive \"pa përjashtime dhe pa nuanca\".
Juncker-i shtoi se Skocia e kishte fituar të drejtën për t\'u dëgjuar në Bruksel, pasi votoi për të qëndruar në BE në referendumin e javës së kaluar, përkundër Mbretërisë së Bashkuar si e tërë, e cila zgjodhi \"Brexit\"-in.
Liderët e BE-së, pa homologun e tyre britanik, do të takohen në kryeqytetin sllovak Bratislavë në shtator, meqë Sllovakia do të ketë presidencën e radhës të BE-së për gjashtë muaj duke filluar nga 1 korriku.