BE dënon ShBA-në për vendosjen e tarifave ndaj ullirit spanjoll
Bruksel, 14 qershor - Bashkimi Europian dënoi ashpër ShBA-në për vendosjen e tarifave ndaj ullirit spanjoll, duke thënë se kjo është "e papranueshme" dhe një "masë proteksioniste".
Zëdhënësi i Komisionit Europian Daniel Rosario tha se nuk justifikohen as përmbajtja dhe as procesi i kësaj mase.
Departamenti Amerikan i Tregtisë njoftoi të martën se do të vendoste tarifa ndëshkuese mbi ullirin spanjoll, duke argumentuar se çmimi i këtij produkti është shumë më i ulët se vlera reale dhe se kjo subvencionohet në mënyrë të padrejtë.
Vendimi përfundimtar do të merret nga Komisioni i Tregtisë Ndërkombëtare i SHBA-së më 24 korrik.
BE-ja ka qenë në kundërshtim me Uashingtonin lidhur me çështjet tregtare pas tarifave të administratës së Trump-it për importet e çelikut dhe të aluminit.
BE-ja ka deklaruar se do të vendosë tarifat hakmarrëse për një listë produktesh amerikane nga fillimi i korrikut.