Barrierat e reja nga Maqedonia pengesë për prodhimin vendor
Prishtinë, 16 mars - Gjatë vizitës në Komunën e Prizrenit Kryetari i OEK-ut vizitoi kompanitë me renome të kësaj komune si Abi-Elif, Xharra Plast, Vëllezërit e Bashkuar, etj.
Me këtë rast kryetari Gërxhaliu ishte pozitivisht i befasuar me vullnetin, profesionalizmin, vizionin dhe guximin për biznes që e hasi gjatë vizitës në këto biznese.
Abi Elif një kompani që prodhimet e saja mund të gjenden në tregjet vendore, rajonale dhe më gjerë me afro 500 të punësuar, 200 kooperantë dhe më se 300 fermerë partnerë qoftë prodhues të qumështit, pemëve apo perimeve ishte vërtetë një shembull që duhet të mbështetet dhe kjo kompani mund të jetë shembull për promovimin e vlerave, për efektivitet pozitiv ekonomik, social e në veçanti në krijimin e qëndrueshmërisë ekonomike.
Investimet në rritjen e kapaciteteve ishin të planifikuara edhe në 3 milionë euro në zgjerim dhe modernizim të kapaciteteve prodhuese qoftë të qumështit, djathit, ajkës si dhe pemëve e perimeve, etj.
Pronari i kompanisë Irfan Fusha theksoi se vullneti për punë është më i madh se sfida dhe problemet me të cilat po ballafaqohen, ai i theksoi vështirësitë me të cilat ballafaqohet e në veçanti në furnizim me thëngjill ku kësaj kompanie i nevojiten 30 tonë brenda ditës, dhe për kundër asaj që Kosova njihet si prodhuese e thëngjillit jemi të detyruar të importojmë nga Banja Lluka dhe Plevla e Mali të Zi.
Po ashtu energjia është një problem me të cilën ballafaqohet kjo ndërmarrje dhe kohëve të fundit është paraqitur një barrierë që ka të bëjë me eksportin e produkteve kosovare në Maqedoni që askush në Kosovë nuk e din se çfarë dokumente kërkohen.
Këto barriera janë të panevojshme dhe si duket kanë për qëllim vazhdimin e efekteve negative të atij raporti famëkeq që thotë se toka e Kosovës është e helmuar.
Në këtë drejtim Fusha apeloi që të gjendet një zgjidhje që është e mundur që eksportet kosovare të depërtojnë në destinacionet e caktuara.
Kompania Xharra Plast, punëson afro 80 punëtorë dhe arrin një qarkullim vjetor afro 7 milion Euro që është një kontribut qoftë në aspektin social qoftë në buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Po ashtu kompania në fjalë është në rritje të kapaciteteve prodhuese dhe në kërkim të partnerëve nga jashtë për bashkë-investim në veçanti në përpunim të metaleve.
Kompania Vëllezërit e Bashkuar këtë vit jubilar kremton 40 vjetorin e traditës së prodhimit të materialit ndërtimor më çrast punëson afro 90 punëtorë dhe investimet në teknologjinë moderne kapin shumën e afro 2 milion euro.
Pronari i kësaj kompanie Sefer Susuri, thotë se duhet të respektohen standardet ndërkombëtare në Kosovë dhe kritere të barabarta qoftë për kompani të huaja qoftë për ato vendore.
Se sa i rëndësishëm është kualiteti dhe cilësia për këtë kompani dëshmon fakti i investimeve të shumta në laboratorë modern për kontrollin e kualitetit të prodhimeve të kësaj firme.
Gërxhaliu pohoi se iniciativa private përkundër sfidave me të cilat ballafaqohet është në rrugë të mirë të zhvillimit, por është obligim moral i të gjithë neve të angazhohemi në eliminimin e barrierave qoftë interne apo eksterne me të cilat ballafaqohen këto biznese me të vetmin qëllim të forcimin e NVM, forcimin e sektorit prodhues dhe krijimit të një imazhi pozitiv se ndërmarrësia në Kosovë ka perspektivë.