Banka angleze manipuloi tregun në mënyrë të vazhdueshme
Londër, 29 qershor - Një nga bankat më të rëndësishme të Britanisë së Madhe dhe të gjithë planetit, Barclays, u hetua dhe u gjobit me 450 milionë dollarë pasi tentoi të manipulojë normat e interesit të tregut më të rëndësishëm të parave në botë, tregut ndërbankar të kreditit, LIBOR.
Por ndërsa krerët politikë të Britanisë kërkojnë dorëheqjen e drejtorit ekzekutiv të bankës, ish-drejtori Martin Taylor, i tha BBC se kjo bankë është angazhuar në mënyrë sistemike në sjellje të pandershme.
Taylor, i cili e pati drejtuar bankën nga viti 1994 deri më 1998, tha se sjellja e bankës në treg ngjan si një strategji e qëllimshme që është zbatuar prej vitesh. Edhe shumë banka të tjera janë nën hetim për të njëjtin skandal.
Vetë Barclays tha se veprimet e zbuluara nga hetimi binin ndesh me standardet e saj. Si ndëshkim, tre drejtuesit më të lartë të bankës kanë hequr dorë nga shpërblimet këtë vit.
Pothuajse në të gjithë botën, kreditë, përfshirë edhe ato për shtëpi, jepen në bazë të formulës Libor plus.
Libor është norma e interesit me të cilat bankat kreditojnë njëra-tjetrën përmes operacioneve që përgjithësisht kryhen në Londër. Libor shërben si kosto oportune për bankat, ose si kostoja me të cilën paraja mund të blihet në treg në çdo kohë.
Plus është norma e interesit shtesë e kërkuar nga banka lokale si fitim bruto për shërbimin e ndërmjetësimit të ofruar prej tyre.
Barclays punoi pikërisht për të manipuluar LIBOR dhe EURIBOR, përkatësisht Interesi Ndërbankar i Ofruar i Londrës dhe Interesi Ndërbankar i Ofruar i Euros. Edhe shumë banka të tjera si Citigroup, JP Morgan, Deutsche Bank, HSBC dhe Royal Bank of Scotland janë nën hetim për manipulime.
Sipas skemës së zbuluar nga hetuesit, banka thjeshtë sa manipuloi raportet e veta mbi ecurinë e LIBOR, duke deklaruar interesa më të larta nga ato realet. Në këtë mënyrë, edhe interesat e paguara nga kredimarrësit e zakonshëm, rriteshin.
Kjo është një sjellje kriminale në botën perëndimore dhe hetohet si vjedhje. Sipas një deklarate të mbikëqyrësit të bankave në SHBA, (ekuivalenti i Bankës së Shqipërisë), të dhënat tregonin se Barclays punoi sëbashku me bankat e tjera për të fiksuar normat e interesit.