Ballkani Perëndimor, një treg interesant i së ardhmes
Këln, 1 tetor - Njohja me tregun e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe promovimi i tyre ishte synimi i një konference me ambasadorë të këtyre vendeve, që u mbajt më 28. Shtator në Këln.
Një rast i mirë për të informuar kompanitë në landin gjerman të Renanisë Veriore Vestfalisë për mundësitë konkrete të investimit dhe bashkëpunimit me këto vende.
\"Mos kërkoni në vende të largëta. E mira ndodhet shumë pranë, shkoni poshtë në Evropën Juglindore, aty gjeni njerëz punëtorë, me kualifikim të mirë...\" tha Friedrich Schmidl, drejtor i Agjensisë austriake të Biznesit.
Sipërmarrjet nga Austria janë shumë prezente në Ballkanin Perëndimor. Kushtëzuar edhe nga afërsia dhe lidhjet tradicionale dhe historike ato janë interesuar që herët pas kthesave politike për tregun e këtyre vendeve. Sot ato janë investuesit numër një në këtë rajon.
Iniciativa për ta bërë të njohur tregun e Ballkanit Perëndimor në landet gjermane vjen nga ambasadori austriak në Berlin, dr. Ralf Scheide. Politika e jashtme austriake e sheh veten si avokate për afrimin e vazhdueshëm të këtyre shteteve me BE.
\"Ne kemi njerëz që vijnë nga këto vende, që kanë studjuar në Austri dhe i njohin të dyja mentalitetet, të dy kulturat. Këto janë tregje interesante, tregje të së ardhmes\", u shpreh drejtori i agjensisë austriake të Biznesit, Schmidl.
Këtë përvojë ai do t\'ua përcjellë edhe kolegëve gjermanë, organizatorë të konferencës, zyrat avokatore BridgeHouseLaw, pjesë e Business Bridge Germany.
Përmes njohjes së ligjeve dhe rregullave tatimore të vendeve të Ballkanit Perëndimor këto specialistë sherbëjnë si ura për këshillimin e lidhjen e investuesve me vendet e Ballkanit. Kryesisht është fjala për tërheqjen e biznesit të mesëm, sepse investitorët e mëdhenj, si Telekom dhe Siemens janë tashmë prezent.
Hans Dieter Lukas drejtor politik në Ministrinë e Jashtme gjermane theksoi rëndësinë e përmbushjes strikte të kritereve ekonomike dhe politike nga vendet në rrugën drejt BE: \"Unë mendoj se ne do të fitojmë besimin e popullsisë në zgjerimin e BE vetëm atëherë, kur mund të tregojmë, se secili shtet anëtar do ta forcojë dhe nuk do ta dobësojë unionin.\"
Duke shprehur interesimin për investime, ambasadorët theksuan krijimin e kushteve ligjore dhe të sigurisë për tërheqjen e investimeve në vendet e tyre, nivelin e ulët të tatimeve për investimet e huaja dhe trajtimin e barabartë të garantuar me ligj të investuesve të huaj me ato vendas.
Ambasadori kroat në një pozitë më të favorshme duke patur parasysh anëtarësimin e vendit të tij në BE në vitin 2013 tha: \"Kroacia është e lidhur me Evropën Perëndimore dhe Qëndrore me autostrada moderne dhe kjo e bën atraktive për investorët nga Gjermania. Pas anëtarësimit në BE Kroacia do të bëhet pjesë e tregut të brendshëm dhe do ta ketë më të lehtë të bëhet vend i prodhimit industrial.\" Ne duam të kemi investime në prodhim tha ambasadori kroat, sepse aty, ku dominon sektori i shërbimeve dhe ai financiar, është e vështirë të dilet nga kriza ekonomike.
Megjithëse BE, e tronditur nga kriza e euros, ndodhet vetë momentalisht në një krizë vetëbesimi, besimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor tek BE dhe vullneti për t\'u bërë anëtar të tij është i patundur.
Ambasadori i Malit të Zi në Berlin, Vladimir Radulovic e shprehu kështu këtë vullnet: \"Historia e shekullit XX ishte plot me ide të mira, të cilat për fat të keq kanë sjellë vetëm vuajtje dhe luftëra dhe të mëdha. Deri tek njëra ideja kolosale politike e Bashkimit të Evropës, e cila nuk ka sjellë vetëm 60 vjet paqe, por siç e dimë të gjithë, shumë më tepër se kaq. Prandaj kjo ide duhet të realizohet deri në fund të këtij dhjetëvjeçari me anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe qytetarëve të tij.\"
Ambasadori i Kosovës Vilson Mirdita dhe ai i Bosnjë-Hercegovinës Tomislav Limov permendën avantazhin e vendeve të tyre, adaptimin e ligjeve me legjislacionin e BE.
\"Ne sot kemi një interesim gjithnjë e më të madh të kompanive gjermane, jo vetëm në fushën e energjitikës, që është një nga fushat lider sot në Shqipëri, ose të infrastrukturës, por edhe në fusha të tjera, turizmin, pastrimin e ambientit, heqjen e mbeturinave e të tjera me rradhë. Ose në biznesin e mesëm për Shqipërinë, siç janë supermarketet\", u shpreh ambasadori i Shqipërisë Valter Ibrahimi.
Ballkani Perëndimor nga politika dhe biznesi në Gjermani shihet shpesh si rajon, po ku shkojnë dallimet e vjetra, të paragjykimeve dhe të trashëgimisë në mes vendeve?
Ambasadori i Kosovës Vilson Mirdita duke patur parasysh edhe gjendjen në veri të Kosovës u shpreh: \"Kjo situatë, që është krijuar tani duhet të cilësohet drejtë dhe mendoj se është cilësuar drejt nga BE nga SHBA dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare, se një grup i vogël kriminelësh nuk guxojnë, që ta prishin dhe ta shkatërrojnë gjithë atë punë, që është bërë në dhjetë vitet e fundit.\"
\"Unë e thashë edhe në fjalën time që ato barriera jo vetëm në rrugë, por ato barriera në kokat e politikanëve në kokat e njerëzve të hiqen një herë e përgjithmonë, sepse pa një kooperim rajonal ne nuk mund të ecim përpara, investitorët nuk pengohen vetëm në Kosovë, por do të pengohen në të gjithë rajonin, sepse rajoni është një njësi shumë e vogël, vendet tona janë shumë të vogla për të operuar si të vetme. Por investorët gjermanë e shohin Kosovën e shohin, Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, Serbinë, si një rajon të vetëm, prandaj është qëllim dhe në të mirën e të gjithë neve, që t\'i heqim ato barriera.\"